Një situatë e pazakontë ndodhi gjatë ditës së enjte në Sarandë, ku një majmun rrahu me shuplaka disa policë bashkiakë, pasi këta të fundit tentuan ta kapnin.

Policët u mobilizuan pasi u lajmëruan nga qytetarët, të cilët e ngatërruan kafshën me një ari. Por i zoti i majmunit ka mohuar që ai të jetë agresiv, duke thënë se është prej 5 vitesh pjesë e familjes së tyre.

Madje theksoi se janë njerëzit agresiv ndaj tij, pasi kur e shohin në rrugë “i turren nga mbrapa”.
“Kikua nuk është agresiv, është pjesë e familjes sonë. E kemi prej 5 vitesh, madje ka shoqëri me një kec që janë rritur bashkë, dhe flenë bashkë. Vijnë turistët filmojnë, i japin për të ngrënë. Nuk është fare agresiv, nuk ngacmon njeri. Njerëzit janë agresiv ndaj tij, kur e shohin në rrugë i turren nga mbrapa”, tha ai.