Në Ksamil sezoni turistik është në pikun e tij.
Disa të huaj dhe një grup emigrantësh shqiptarë në Itali po përpiqen të sigurojnë çadra dhe shezlongë në plazh, që për shkak të mbingarkesës duhen rezervuar një ditë para.
Sergio që ka mbërritur sot duhet të presë për të nesërmen që të sigurojë një vend buzë detit për familjen.
Çmimet shkojnë nga 30-40 Euro për set, çka nuk e bën këtë shërbim më të lirë se në Itali.” –shprehet pushuesi italian.
“Çmimet janë içik më të kripura se viti që kaloi, rreth 20% më lart këtu se në Itali” -shprehet një pushues.
Pushuesit flasin për një rritje të çmimit të ofertës në tërësi me të paktën 20-30% në raport me vitin e kaluar, rritje që nuk motivohet mjaftueshëm me cilësinë e shërbimit, problemet e infrastrukturës, lehtësitë dhe logjistikën.
Një ri 20-vjeçar shqiptar që ka lindur në Itali tregon se në mbrëmje i duhet të shpenzojë të njëjtën sasi parash sa në Itali për tu zbavitur në një bar nate me miqtë në Ksamil.
“Unë i prisja më të ulëta çmimet nga reklamat që bëjnë në TikTok e cilësojnë Shqipërinë si një vend më ekonomik, por nuk është kështu“-shprehet ai.
Fillimisht bizneset u përballën me rënien drastike të kursit të këmbimit me euron çka bëri që oferta të vinte që prej qershorit jo më në euro por në lek. Bizneset janë të ndërgjegjshëm se kostot janë duke u paguar nga klientët por situata nuk do të jetë pa efekte mbi këtë sezon por edhe mbi sezonin e vitit të ardhshëm.
“Euroja rëndon për të gjithë, jo vetëm për ne. Kemi pasur disa kontrata me operatorët turistike dhe i kthyem në lekë se kishte luhatje”.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike gjithashtu është problematik. Rrjeti elektrik i riparuar për Ksamilin nuk ishte planifikuar për norma të 10-fishuara popullimi ku çdo pajisje është në funksion me kohë të plotë. Në kulmin e sezonit shumë hotele për të siguruar ujë janë duke u furnizuar me autobotë uji shërbim që kushton miliona lekë çdo mbrëmje e megjithatë sasia nuk mjafton për të furnizuar dushet në plazhe private.
Përfitues prej turizmit në Ksamil janë gati 80% e familjeve lokale ndërsa të punësuar sezonalë janë rreth 1000 vetë nga e gjithë Shqipëria. Ada punon 6 muaj çdo vit në Ksamil dhe 6 të tjerë në Tiranë. Ajo shpreson në një turizëm më cilësor në të ardhmen që sjell të ardhura më të qëndrueshme.
Ksamili me ishujt dhe bregdetin shkëmbor , natyrën e rrallë dhe zonat e mbrojtura që e rrethojnë arriti këtë verë kulmin e promocionit ndërkombëtar dhe të vizitorëve. Ekspertët e turizmit vlerësojnë se shitja e shërbimeve është pak e balancuar nëse flitet për lehtësi të munguara, kapacitete të pamjaftueshme dhe konkurrentë me potencial shumë të lartë e traditë disa dekadëshe siç është bregdeti grek apo brigje të tjera mesdhetare me interes të shtuar.