Kryeministri Edi Rama ka pranuar sot indirekt në studion e TPZ se Tirana është shndërruar në një “lavatriçe” të pastrimit të parave të pista që burojnë nga droga, e që grupet kriminale shqiptare i investojnë në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.

I vendosur përballë përgjegjësisë për zgjedhjen e Erion Veliajt si kandidat për një mandat të tretë në Tiranë, kur në 8 vite ka dhënë mbi 7 milionë m2 katrorë leje ndërtimi, duke betonizuar me kulla qendrën historike, Rama u desh të dilte edhe kundër Departamentit të Shtetit për të mbrojtur kryebashkiakun.

Rama u sfidua nga gazetarët mbi paratë që hyjnë në këtë sektor, por nuk dalin nga sistemi bankar. Ai e konsideroi të pasaktë raportin e DASH, që e cilëson Shqipërinë si vend ku pastrohen para dhe shtoi se pastrimi i parave në ndërtim ndodh rëndom në SHBA e Britaninë e Madhe.

Analisti Neritan Sejamini e vendosi kryeministrin përballë faktit se 1 miliardë euro që janë investuar në sektorin e pasurive të paluajtshme në 3 vitet e fundit nuk figurojnë se kanë dalë nga sistemi bankar dhe kanë burime informale.

“Për të njëjtën sasi parash, bëjnë 2.37 miliardë euro. E di sa janë marrë kredi? 320 milionë euro. 2 miliardë euro apartamente nuk janë financuar nga sistemi banker. Ose jemi vendi më i pasur në botë, ose ka diçka që nuk shkon. Financuesi edhe në botë, është në shumicën e rasteve sistemi banker”, konstatoi Sejamini.

Por, Rama u mbrojt me tezën se këto janë para që vijnë nga remitancat, pra fitimet e punës së rregullt ose jo të migrantëve shqiptarë në emigrim.

“Shqipëria ka një rezervë nafte shumë të madhe në emigracion. Sigurisht që një pjesë të blerjeve janë kontribut i atyre që janë jashtë. Jo të gjitha, por çdo ditë dhe çdo muaj drejtoria e pastrimit të parave bëjnë kontrolle nominale dhe të tepruara për blerës, kontrata noteriale. Po të ishte kjo 7X7=42, do e kishte kapur ndonjë institucion ndërkombëtar”.

Por, kjo tezë nuk u pranua nga një analist i prirur në studimet ekonomike si Sejamini, i cili e ballafaqoi shefin e qeverisë me raportet e institucioneve ndërkombëtare dhe për këtë i kujtoi shqetësimet e Departamentit Amerikan të Shtetit.

DASH-in e beson apo jo?”, pyeti analisti – kryeministrin – i cili u përgjigj me notë negative: “Për raportet e DASH kam rezerva dhe i kemi shprehur me shkrim” .

DASH thotë se Shqipëria është në listën e vendeve ku pastrohen para. Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme janë sektorë kryesorë ku pastrohen paratë”, nënvizoi Sejamini.

Por, me versionin e shprehjes unike të ministres Spiropali që “këto ndodhin kudo në botë, e madje bëhen edhe filma”, Rama u mbrojt duke shigjetuar Londrën dhe Nju Jorkun si qytete ku pastrohen para, shembuj sipas të cilit një vend si Shqipëria nuk mundet t’u shpëtoj.

Duke pranuar indirekt pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit në kryeqytet, Rama tha: “Në New York po, në Londër po njëherë. Këto muhabete… Raporti i DASH, sepse kam bërë debate për raportet e DASH. Ato kanë një metogologji, që kanë një qasje, po t’i lexosh me syrin tënd të dalin me probleme”.

Në mbyllje të debatit, analisti Neritan Sejamini e la topin në fushën e Ramës me “amnistinë” de-jure që i është bërë betonizimit të Tiranës, duke i drejtuar me ironi pyetjen: “Pra kur shpall Berishën non-grata duhet ta dëgjojmë DASH-in, dërsa kur thotë për pastrimin e parave të mos e besojmë”.