Kur policia e Durrësit raportoi mëngjesin e së premtes vrasjen e Pëllumb Metës, pakkush mund ta imagjinonte se ky krim do të çonte pas hekurave të tre fëmijët e tij, e do të vijonte të ishte i rrethuar me mister për motivin që çoi në krimin e rëndë.
Dalja para gjykatës e Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metës pritej me interes. Paraditen e së premtes 19-vjeçarja pretendoi se ishte ajo autorja e vrasjes. Pasdite, vrasjen e kishte marrë përsipër vëllai i saj i madh, 24-vjeçari Hysen Meta.
Por këtë të hënë, ky i fundit, në një kthesë që duket se surprizoi edhe vetë prokuroren e gjyqtaren e çështjes, ai tha se autore ishte e motra. Gazetarja Enkeleda Arapi tha në një intervistë për Klan News, se dëshmitë e tyre befasuan jo pak edhe vetë prokuroren e gjyqtaren.
“Ishte një surprizë si për prokuroren dhe gjyqtaren, në momentin që u pyet në lidhje me motivin dhe mënyrën si e bëri vrasjen, ai tha se nuk ka asnjë motiv, pasi nuk është ai autori dhe autor është një tjetër, duke pohuar që ishte e motra e tij. Nuk dihet ky ndryshim versioni, pasi më herët kishte dhënë mjaft detaje të vlefshme që çuan në zbardhjen e ngjarjes. I gjithë ky version ra poshtë në gjykatë. Deklarata e tij u mbështet më pas, e cila pohoi që ishte ajo që e qëlloi të atin”.
Madje gazetarja shton se 3 fëmijët Meta, “lojën” e ndryshimit të dëshmive e kanë bërë në disa raste. Një tjetër mister që shoqëron këtë ngjarje të rëndë, është edhe motivi i krimit. Fëmijët kanë dhënë disa versione, nga dhuna, sjellja autoritare e deri te imponimi që sipas tyre babai 50-vjeçar donte t’i bënte Hygertës, duke e detyruar që të martohej pa dëshirën e saj. Pas arrestimit, hetuesit i futën të 3 në dhomë izolimi, me qëllim që të kuptonin kush ishte autori e cili ishte motivi. Të paktën zyrtarisht, gazetarja thotë se as këtu autoritetet nuk kanë mundur të zbulojnë të dhëna të vlefshme.
I denoncuar si i zhdukur prej datës 13 shkurt, trupi i Pëllumb Metës u gjet i groposur në kasollen e shtëpisë së tij, më 22 Shkurt. Ai ishte ekzekutuar me armë zjarri në shtëpinë e familjes Meta, në Shënavlash të Durrësit, 3 ditë përpara se djali i madh të bënte kallëzimin në polici për zhdukjen e të atit. Të tre fëmijët e tij u vunë në pranga, njëri si autor e të tjerët si bashkëpunëtorë. Megjithatë sa kohë roli i tyre nuk është qartësuar, mbetet për t’u parë se cilat janë akuzat që do të rëndojnë ndaj tyre.