Kur policia e Durrësit raportoi mëngjesin e së premtes vrasjen e Pëllumb Metës, pakkush mund ta imagjinonte se ky krim do të çonte pas hekurave të tre fëmijët e tij, e do të vijonte të ishte i rrethuar me mister për motivin që çoi në krimin e rëndë.

Dalja para gjykatës e  Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metës pritej me interes. Paraditen e së premtes 19-vjeçarja pretendoi se ishte ajo autorja e vrasjes. Pasdite, vrasjen e kishte marrë përsipër vëllai i saj i madh, 24-vjeçari Hysen Meta.

Por këtë të hënë, ky i fundit, në një kthesë që duket se surprizoi edhe vetë prokuroren e gjyqtaren e çështjes, ai tha se autore ishte e motra. Gazetarja Enkeleda Arapi tha në një intervistë për Klan News, se dëshmitë e tyre befasuan jo pak edhe vetë prokuroren e gjyqtaren.

“Ishte një surprizë si për prokuroren dhe gjyqtaren, në momentin që u pyet në lidhje me motivin dhe mënyrën si e bëri vrasjen, ai tha se nuk ka asnjë motiv, pasi nuk është ai autori dhe autor është një tjetër, duke pohuar që ishte e motra e tij. Nuk dihet ky ndryshim versioni, pasi më herët kishte dhënë mjaft detaje të vlefshme që çuan në zbardhjen e ngjarjes. I gjithë ky version ra poshtë në gjykatë. Deklarata e tij u mbështet më pas, e cila pohoi që ishte ajo që e qëlloi të atin”.

Madje gazetarja shton se 3 fëmijët Meta, “lojën” e ndryshimit të dëshmive e kanë bërë në disa raste. Një tjetër mister që shoqëron këtë ngjarje të rëndë, është edhe motivi i krimit. Fëmijët kanë dhënë disa versione, nga dhuna, sjellja autoritare e deri te imponimi që sipas tyre babai 50-vjeçar donte t’i bënte Hygertës, duke e detyruar që të martohej pa dëshirën e saj. Pas arrestimit, hetuesit i futën të 3 në dhomë izolimi, me qëllim që të kuptonin kush ishte autori e cili ishte motivi. Të paktën zyrtarisht, gazetarja thotë se as këtu autoritetet nuk kanë mundur të zbulojnë të dhëna të vlefshme.

“Me 3 fëmijët po ndodh diçka e çuditshme, jo vetëm në momentin që merren dëshmitë e tyre përkatëse, qoftë nga policia, prokuroria, apo dhe që avokatët përkatës të caktuar kryesisht, kishin komunikuar, kishin një version të ndryshëm të ngjarjes. Edhe në momentin që ata kanë qenë bashkë në dhomën e izolimit, me qëllim që policia më tepër sesa autorin të zbulonte motivin e saktë të ngjarjes. Pasi edhe në momentet që po flasim, nuk kemi një qartësi të motivit, të krimit të rëndë që ndodhi në familjen Meta. Nuk ka mundur ta zbulojë ekzaktësisht se kush është autori, pasi herë pas here, vëllai i madh dhe motra ia hedhin fajin njëri-tjetrin, ashtu sikurse dhe ndodhi në gjykatë. Ku vëllai i vogël u përjashtua nga ngjarja duke pohuar që nuk kishte dijeni nëse i ati ushtronte dhunë ndaj së ëmës, motrës, duke thënë ‘që ishte në punë dhe në momentin që mbërrija në shtëpi babai ishte në punë pasi punonte si rojë gjatë natës. Dhe kjo bënte që të mos kishte kontakte të shpeshta. Sa i përket dy fëmijëve të tjerë, mbetet vërtetë interesante, e ndoshta nga më të çuditshmet që herë pas herë njëri e merr fajin përsipër më pas ia kalon tjetrit”.

I denoncuar si i zhdukur prej datës 13 shkurt, trupi i Pëllumb Metës u gjet i groposur në kasollen e shtëpisë së tij, më 22 Shkurt. Ai ishte ekzekutuar me armë zjarri në shtëpinë e familjes Meta, në Shënavlash të Durrësit, 3 ditë përpara se djali i madh të bënte kallëzimin në polici për zhdukjen e të atit. Të tre fëmijët e tij u vunë në pranga, njëri si autor e të tjerët si bashkëpunëtorë. Megjithatë sa kohë roli i tyre nuk është qartësuar, mbetet për t’u parë se cilat janë akuzat që do të rëndojnë ndaj tyre.