Rënia e euros ndaj lekut është e pandalshme. Madje me ritme anormale. Këtë të premte një euro u këmbye me 108.73 lekë, çka është rekordi i ri historik.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se që nga fillimi i vitit euro ka humbur mbi 9 pikë ndaj lekut. Në fillim të janarit, monedha europiane këmbëhej me mbi 117 lekë, por sot kursi ka rënë në 108.7 lekë. Tani pragu i këmbimit 1 euro me 100 lekë nuk duket më tabu. Aq më tepër që sezoni i lartë turistik duhet ende të fillojë, që do të thotë se në treg do të ketë edhe më shumë valutë.
Megjithatë euro nuk është monedha e vetme kryesore ndaj të cilës leku po fiton terren me ritme të shpejta. Edhe dollari po ashtu vazhdon të dobësohet. Në fillim të vitit monedha amerikane këmbëhej me mbi 111 lekë. Aktualisht po tregtohet nën nivelin 102 lekë.
Por çfarë po ndodh me kursin e këmbimit?
Gjatë kohës së pandemisë, ekonomitë e fuqishme si SHBA-të dhe Bashkimi Europian materializuan stimuj të fuqishëm për të shmangur recesionit. Që nga transfertat direkte për familjet e deri tek fondet shtetërore për bizneset oferta si për dollarin ashtu dhe për euron është rritur në mënyrë masive. Ndërkohë SHBA është e interesuar të përdorë këtë politikë edhe për një arsye tjetër, që lidhet me zhvlerësimin e borxhit të saj. Sa më shumë zhvlerësohet dollari, aq më lirë SHBA-të e shlyejnë borxhin e tyre.
Këto janë faktorët e jashtëm. Por kursi i lekut me monedhat e huaja ka dhe faktorë të brendshëm. Banka e Shqipërisë thotë se një forcimi i lekut ndaj euros lidhet me rritjen e ofertës së monedhës europiane për shkak të përmirësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Pra më shumë të ardhura nga turizmi dhe dërgesat e emigrantëve.
Megjithatë tani të gjithë e kanë të qartë, madje dhe vet Banka e Shqipërisë, se zhvlerësimi kaq i fortë dhe i pandalshëm i euros nuk është vetëm çështje dërgesash apo turizmi. Por BSH nuk ka për të pranuar asnjëherë publikisht këtë. Ajo do të vazhdojë të thotë se leku po forcohet nga turizmi. Të gjithë të tjerët do të vazhdojnë të besojnë se rritja e ofertës së euros në tregun shqiptar nuk është vetëm nga turizmi dhe dërgesat e ligjshme të emigrantëve. Në fund, nga e gjitha kjo, shqiptarët po pasurohen pa punuar. Por sa do të jetë dëmi në konkurrueshmërinë e ekonomisë? Kjo do të merret vesh më vonë. /oligarkia