Në Shqipëri janë 39 institucione mikrofinanciare jo banka të licensuara nga Banka e Shqipërisë për të vepruar.
Këto zyra janë kthyer në jo pak raste në “fajdexhinj” të licensuar, ku mijëra shqiptarë kanë rënë pre duke marrë produkte financiare e më pas janë përballur me norma interesi të pajustifikueshme e shumë larg mundësisë së tyre për të paguar.
ZËRI e ka nisur interesimin pranë Bankës së Shqipërisë disa muaj më parë, për të kuptuar çfarë ndodh me këto kompani dhe sesi arrijnë ato të punojnë edhe pse ankesat dhe denoncimet e qytetarëve kanë vërshuar në rrjetet sociale.
Së pari, u ndeshëm me një kalvar kthimi përgjigjesh nga BSH, që vetëm 1 muaj e gjysmë pas kërkesës tonë fillestare, ktheu një email ku tregonte pse këto zyra mikrokredie veprojnë edhe pse aplikojnë norma të tilla që i kalojnë 100% në vit.
Banka e Shqipërisë na citon rregulloren por në asnjë moment nuk tregon se cili është realiteti në vend.
Ping-pongu vazhdon edhe me licensën. Nga viti 2020 deri në vitin 2023, Banka e Shqipërisë deklaron se ka licencuar vetëm 1 subjekt të ri, nga 7 që kanë aplikuar.
Ky subjekt është institucioni mikrofinanciar “Lendal”, për të cilin do t’ju informojmë në vijim.
Paralelisht ne kërkuam informacion nga ligjvënësit tanë, të cilët kanë përgjegjësi për ligjet që përmirësojnë apo rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Asnjëri nga deputetët e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, nuk pranoi të dilte para kamerave. Jashtë kamerave, ata deklarojnë se faji është i qytetarëve që janë të painformuar dhe marrin kredi me një rrisk kaq të lartë.
Po njësoj edhe ekspertët e vetëshpallur të ekonomisë. Disa prej tyre u larguan me shpejtësi nga telefonat e gazetarëve tanë, sapo morën vesh se tema e zgjedhur për intervistën ishin mikrokreditë dhe abuzimet e tyre. Deri ku kanë arritur fijet e tyre?
A është thjesht çështje informimi?
A po bombardohen qytetarët nga reklamat e mikrokredive dhe nga lehtësirat për ti marrë këto kredi në shumë pak minuta dhe pa u dashur të jenë të siguruar?
Një nga institucionet mikrofinanciare, Kredo.al të kontaktuar me email nga ZËRI, se a aplikojnë norma të tilla interesi, nuk pranojnë të japin përgjigje duke u mjaftuar me fjalinë “klienti është i informuar për detyrimet dhe të drejtat kur merr një kredi pranë nesh“.
Pyetjes sonë se pse marrin përsipër të kreditojnë “viktima” që nuk kanë mundësi për ta shlyer këtë kredi, Kredo.al thotë se” Institucioni jone financon nga mosha 20 vjec deri ne 70 vjec, moshe kjo e cila lejohet te punesohet. Vleresimi per dhenien e kredise, kryhet ne baze te disa parametrave dhe te dhenave te klientit, si dhe historise se tij te kreditimit ne sistemin bankar dhe financiar ne vend.”
Por si mund të shlyejë një pensionist 70-vjeçar me një pension 18 mijë lekë të reja, një kredi e cila ka një normë interesi mbi 50%? Ku e gjen mbështetjen Kredo.al dhe përse BSH hesht?
Gjërat në praktikë janë pak më të ndërlidhura se kaq. “Lendal”, zyra më e re dhe e vetmja e licensuar në 3 vitet e fundit, për dhënie mikrokredie është në pronësi të Eron Merko, një personazh i denoncuar në media më herët, i cili nga punëtor pastrimi në Bashkinë e Tiranës është katapultuar në mënyrë të habitshme dhe ka hapur zyrën e tij të mikrokredisë.
Zyra e tij e mikrokredisë, sipas verifikimeve tona në QKB, rezulton se është në të njëjtën adresë me zyrën e mbledhjes së borxheve “Ale Consulting”, kompani që është pronësi eElton Gjipalit, vëllai i bashkëshortes së guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Disa javë pasi mediat nisën të denonconin lidhjet e tyre, Gjipali ndryshoi edhe adresën duke u zhvendosur te zona e Komunës së Parisit.
Lendal, zyra e mikrokredisë, ka autorizuar si personin që bën regjistrimet në QKB, ekonomisten e kompanisë së Gjipalit, shtetasen Klodiana Tasho. Një rrjet biznesi i lidhur me njëri-tjetrin me fitim të garantuar, ku njëri jep kredi e tjetri i mbledh ato.
A mund të funksionojë kontrolli dhe parandalimi?
Për ta kuptuar më mirë, gazetari Gjergji Erebara ka bërë një shpjegim të thjeshtë se ku është abuzimi me këto mikrokredi dhe përse kushdo që i merr ato është njësoj si të luajë bixhoz, pasi në çdo rast njësoj edhe si në “Las Vegas”, ajo që fiton është “mikrokredia”.
“Ekonomia shqiptare rritet në vlerë nominale me mesatarisht 6 për qind në vit. Kjo do të thotë, i gjithë kapitali ynë fizik, natyror, financiar e njerëzor, pëson kaq rritje në vlerë. Në një botë ideale, qytetarët që kanë para me tepri, i vendosin këto para në depozita me një normë interesi, fjala vjen, 2 për qind. Bankat ia japin këto para qytetarëve që kanë nevojë për kapital, me, fjala vjen, 4 për qind. Qytetarët që e marrin kredinë, punojnë me këto para, realizojnë një kthim prej 6%, nga të cilat, 2% i mbajnë për vete dhe 4% ia kthejnë bankës. Nëse norma e interesit të kredisë është, fjala vjen, 8 për qind apo 10 për qind, atëhere kjo do të thotë që qytetari që ka marrë hua, jo vetëm që nuk po fiton para nga kapitali që ka huazuar, por në fakt, nga puna e vet po shlyen një normë interesi dhe në përgjithësi po del i humbur nga skema.”-shkruan Erebara.
Por a mjafton kaq për ti shkundur autoritetet për ti kontrolluar e hequr licensat këtyre zyrave që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut?
Në fakt, puna e Bankës së Shqipërisë nuk do të duhet të ishte citimi i rregullores por parandalimi i abuzimit dhe mbrojtja e Konsumatorit.
Por, jo, Banka e Shqipërisë aktualisht lejon kredi me normë interesi 100% nëse kredia është deri në 200 mijë lekë dhe me normë interesi 40% kur kredia është deri në 600 mijë lekë.
Në vendet normale, rregullat që qeverisin këtë segment janë më të detajuara se sa kaq.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kreditorët nuk lejohet të vendosin tarifa më të larta falimenti se sa totali i kredisë së marrë. Në Shqipëri, askush nuk pranon të flasë për këtë temë.
7 ekspertë ekonomie që bëjnë xhiron nga njëra studio televizive te tjetra, hezituan të kthenin një përgjigje për ZËRI-n në momentin që tema e zgjedhur për intervistë ishin mikrokreditë dhe rreziku financiar që iu kanoset qytetarëve. Kur do të ndalojë?/ZËRI