Arben Shuaipi alias Arben Ulbrich, bashkëshorti i këngëtares Fatbardha Ulbrich, e njohur me emrin e artit Maya Aliçkaj, e cila e ka denoncuar për dhunë, ka reaguar për herë të parë. Gjatë një bisede telefonike me gazetarin e “Ora News”, Elton Qyno biznesmeni Arben Shuaipi, thotë se ai prej disa vite jeton dhe punon në Itali si arkitekt dhe s’ka asnjë mundësi të dhunojë fizikisht apo psikologjikisht, ish-gruan e tij.
Shuaipi shton se si gjatë marrëdhënies së martesës dhe pas martesës ai kurrë nuk ka dhunuar apo qoftë t’i ketë prekur një fije floku të ish-bashkëshortes së tij, Fatbardha Ulbrich. Sipas tij, këngëtarja Maya e ka persekutuar me një seri gjyqesh civile në Gjykatën e Tiranës, për divorcin dhe kujdestarinë e djalit të tyre si dhe ka për qëllim që të përfitojë pronat e përbashkëta.
“Në muajin Mars 2024, gjyqtarja Fahrije Stringa ka marrë një vendim për lëshimin e një urdhër-mbrojtje në favor të “Majës”, e cila pretendonte se unë e kisha dhunuar. Gjykata ka caktuar që unë të qëndroj 200 metra larg ish-gruas time. Së pari ky vendim është tërësisht antiligjor, pasi është marrë pa prezencën time dhe pa më dëgjuar mua si palë e paditur. Së dyti unë jam me qindra kilometra larg ish-gruas dhe jo 200 metra siç thotë gjykata, pasi jetoj në Itali ku punoj si arkitekt. S’mund të dhunoj gruan në shtëpi apo rrugëve të Tiranë, kur fizikisht nuk jam as në shtëpinë e saj dhe as në Tiranë, por në një shtet të huaj siç është italia. Ne si ish-burrë e grua na bashkon vetëm djali ynë pasi tashmë jetojmë në dimensione dhe vende të ndryshme. Unë kam heshtur dhe kam menduar që konfliktin tonë familjar ta zgjidhnim me mirëkuptim dhe përmes ligjit, duke parë dhe të mirën e djalit, që është pasuria jonë më e çmuar. E gjithë lufta bëhet për djalin, dhe vilat tona që janë në komplekse rezidenciale. “Maja” mua kërkon të më nxjerrë totalisht nga pronësia e këtyre dy pasurive në Tiranë, njëherësh të më ndalojë dhe takimin me fëmijën. ”Maja”, me sa duket e këshilluar nga mendje të tjera lakmitare ka vendosur të publikojë në media një konflikt familjar tonin, vetëm me qëllimin për të më diskredituar dhe mos lejuar që unë të takoj djalin. Në Shqipëri vij vetëm për të takuar fëmijën tim, madje as gjyqet kam filluar të mos i ndjek duke ja lënë në dorë mbrojtjen avokates time…” – ka treguar Arben Shuaipi.
Këngëtarja shqiptare Maya Aliçkaj, është pajisur pak ditë më parë me urdhër mbrojtje nga Gjykata e Tiranës, për shkak të dhunës që bashkëshorti ka ushtruar ndaj saj. Maja, me emrin zyrtar Fatbardha Ulbirch dhe bashkëshorti i saj Arben Ulbirch (Arben Shuaipi), duket se kanë pasur konflikte prej kohësh me njëri-tjetrin. Shuaipi është urdhëruar me vendim gjykate, që të mos i afrohet bashkëshortes së tij, më shumë se 200 metra, duke nënkuptuar edhe vilën e tyre në zonën e Mulletit ku jeton këngëtarja bashkë me djalin. Po ashtu bashkëshorti i këngëtares, duhet të bëhet pjesë e programeve të rehabilitimit kundër dhunës në familje.