Dhjetra protestues të Partisë Demokratike janë mbledhur në shenjë proteste ditën e sotme para vilës së kryeministrit Edi Rama në fshatin Surrel të Tiranës.

Me pankarta në dorë, ata kërkojnë dorëheqjen e kreut të Qeverisë në lidhje me skandalin me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së Charles McGonigal.

“Faktet dolën, jep dorëheqjen”, është pankarta kryesore e protestuesve, ku pjesë më e madhe e tyre janë prej Forumit Rinor të PD-së.

“Jemi këtu për t’i kthyer vizitën kryeministrit Edi Rama. Ai ka futur duart në xhepat e qytetarëve dhe ka hyrë brenda shtëpive tona. Ka tentuar të asgjësojë të gjithë zërat kundër tij për të mbajtur pushtetin e një autokrati. ne jemi këtu dhe këtu do qëndrojmë çdo ditë. Një pikënisje dhe një thirrje për qytetarët që të na bashkohen më 11 shkurt. Ne jemi këtu, qytetarët shqiptarë janë këtu. Do jemi në mbështetje të çdo kauze qytetare. Ne mendojmë se Rama nuk meriton më të jetë në postin e kryeministrit. Ai ka tentuar asgjësimin e opozitës shqiptare. Ne nuk e duam më kryeministër”, tha një prej të rinjve.

Kujtojmë se më 11 shkurt, opozita do të zhvillojë një protestë para Kryeministrisë.