EDITORIAL-Gazeta Jone

Videoja e të resë që u kap me të dashurin në krevatin që ndante me bashkëshortin ngjalli mjaft kërshëri në publik si çdo ngjarje e ngjashme, ku dobësia i bën njerëzit që t’u interesojë se çfarë bëjnë të tjerë poshtë çarçafit.

Është një dobësi njerëzore që nuk mund ta shmangesh, por ajo që mund të shmanget ishte keqinterpretimi i atyre pamjeve dhe fokusimi vetëm te pjesa lakuriq dhe jo mbi problemet strukturore që ka shoqëria jonë.

Emigracioni është një plagë e thellë dhe lënia e nuseve si shërbëtore ndaj prindërve të burrave po ashtu. Përballë dy elementëve të tillë, pamjet lakuriq të asaj të reje para vjehrrit, kunetërve dhe komshijve nuk ka se si të mos të të ngjallin keqardhje duke bërë që pjesa dërrmuese e mediave të mos i shpërndanin ato.

Mirëpo, një ditë më parë vajza e re doli në media dhe dha versionin  e saj të ngjarjes, por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte fakti se ajo nuk ndjeu asnjë lloj pendese jo vetëm që e kishte tradhtuar bashkëshortin, por që e kishte bërë këtë në shtratin martesor duke e futur dashnorin në shtëpinë e tyre.

Zakonisht, në raste të tilla përdoren hotelet dhe motelet, por e reja nuk e mori fare në konsideratë këtë duke u “shkepur” me dashnorin pikërisht në shtratin martesor.

Duket se kjo mungesë pendese, të pakltën në dukje, për të mos justifikuar në fakt tradhtinë, ka ndryshuar qasjen e opinionit publik ndaj saj.

Nëse deri dje në sytë e qytetarëve ajo ishte një vajzë që shkaktonte keqardhje me burrin jashtë shtetit dhe hormonet e një 21 vjeçareje që duheshin shuar, sot kemi përballë një vajzë të martuar që nuk e ka problem të tradhtojë, madje edhe në krevatin që ndan me burrin dhe më pas të mos ndjehet aspak në faj për çfarë ka bërë.

Përballë ligjit ajo është e justifikuar, pasi tradhtia është problem moral, kurse dhuna ndaj saj është ligjor dhe vjehrrit duhet të ndëshkohen, por vlen edhe si një mësim i mirë për shqiptarët që filluan të justifikojnë tradhtinë. /Gazeta Jone