Media prestigjioze britanike, “Daily Mail” ka ngritur alarmin lidhur me projektin e qeverisë për amnistinë fiskale në vendin tonë, duke paralajmëruar se Shqipëria do të bëhet një ‘parajsë e pastrimit të parave’ për bosët e drogës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, “sipas ligjeve që u mundësojnë atyre të fshehin qindra miliona para të përfituara nga aktivitete kriminale në investime pronash”.

Në një artikull të publikuar më 24 dhjetor online, Daily Mail vë theksin se Qeveria shqiptare po prezanton një ‘amnisti fiskale dhe penale’, që do të lejojë këdo që të deklarojë pasuri deri në dy milionë euro pa pasur nevojë të zbulojë origjinën e parave kesh.

“Kjo vjen pasi një hetim i Daily Mail zbuloi se baronët e drogës që operonin në Britani kanë pastruar shuma të mëdha në vila luksoze, banesa, toka bujqësore, palestra, bare dhe madje edhe një pikë karburanti në Shqipëri.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – FBI e Britanisë – ka paralajmëruar se sasia e parave kriminale që largohen nga Britania e Madhe është rritur ‘në mënyrë eksponenciale’ gjatë katër ose pesë viteve të fundit, e nxitur nga bandat shqiptare të drogës që dërgojnë para në shtëpitë e tyre.

Paratë e pista besohet se kanë nxitur një bum ndërtimesh në Shqipëri, ku vlera e lejeve të ndërtimit të pronave në kryeqytetin e vendit, Tiranë, është rritur nga 112 milionë paund në tremujorin e parë të 2021 në 206 milionë paund në të njëjtën periudhë të këtij viti”, thekson artikulli.

Sipas Daily Mail, bandat e krimit të organizuar dyshohen se kanë përdorur një sërë metodash për të nxjerrë nga Britania paratë e fituara nga aktivitete kriminale, duke përfshirë përdorimin e agjencive të udhëtimit për trafikun e parave, fshehjen e dhjetëra mijëra paundeve në pjesën e pasme të televizorëve ose mbushjen me kartëmonedha në rrotat e kamionëve.

NCA tha se bandat shqiptare të drogës kishin çuar në një rritje të parave të pista që dilnin nga Britania.

Menaxheri i inteligjencës NCA, Steve Brocklesby tha: ‘Objektivi i tyre kryesor kur fitojnë para është t’i nxjerrin ato nga vendi sa më shpejt që të jetë e mundur, kështu që ata i kontrabandojnë nga MB në Shqipëri në çfarëdo forme që të vijë.’