Michelle Obama  ka dhënë një intervistë ku nuk ka nguruar t’i referohet viteve të para të martesës me Barack Obaman. Ish-Zonja e Parë e SHBA-ve ka folur për “REVORT Studios” dhe i është referuar jetës së përbashkët me bashkëshortin e saj, ndërsa ka treguar se “ për dhjetë vjet nuk e duroi dot”.

Ajo ka treguar se pas ardhjes në jetë të dy vajzave të tyre, Sasha dhe Malia, gjërat mes tyre kanë qenë të vështira. “Për dhjetë vjet nuk e durova dot burrin tim”, deklaroi ajo.

Teksa ajo ishte një nënë e re duke u përpjekur të rriste vajzat e saj, Barack Obama po shijonte kohën e tij duke luajtur golf ose duke shkuar në palestër.

“Martesa nuk është kurrë 50/50. Zakonisht është 70/30, ndonjëherë është 60/40 ”, tha ajo pasi kujtoi periudhën kur burri i saj ishte fokusuar në karrierën e tij politike në fillim të viteve 2000 dhe mungonte vazhdimisht në shtëpinë e tyre.

Në lidhje me fëmijët e tyre dhe nëse i plotësonte nevojat e tyre, ajo shpjegoi: “Fëmijët janë si terroristë. Kanë kërkesa, nuk flasin, nuk merren vesh, qajnë gjatë gjithë kohës. Por ju i doni më shumë se çdo gjë dhe nuk mund t’i fajësoni. Kështu, ju domosdoshmërisht ktheheni kundër njëri-tjetrit”.