NARCO/ Lidhjet që çuan në ‘injorimin’ e trafikut të drogës në taksi, si u fsheh aksidenti, bilancet e dyshimta të Blue & Lux Taxi dhe misteri Green Taxi
Me dhjetëra denoncime kanë mbushur inbox që prej 26 shkurtit, ditë kur ne publikuam edhe dokumentarin tonë të parë, NARCO TAXI, një prodhim që ka thyer rekord shikueshmërie në rrjetet sociale sipas ZERIT.
Qytetarë të shumtë, ngrenë dyshime sesi mundet që edhe përballë këtyre pamjeve që u transmetuan me zë dhe figurë, reagimi i Policisë ka qenë zero.
U deshën 10 ditë, që Policia Rrugore të ndërmerrte një aksion për gjetjen e taksive të palicensuara nga këto kompani. A thua se do të ishte shumë e vështirë të gjenden këto taksi, kur targa e bardhë dallon qartësisht nga e verdha dhe do të mjaftojnë 2 orë për të bërë heqjen e paligjshmërisë që kalon në çdo rrugë e çdo kryqëzim të vendit.
Por siç kemi thënë edhe më parë, ne e dinim. E dinim çfarë do të ndodhte me këtë publikim që në momentin që ne vendosëm të merreshim me këtë fenomen dhe ta nxirrnim nga skuta për t’ja treguar të gjithë shqiptarëve. Pasigurinë që përballemi e nga e cila rrezikojmë jetën çdo ditë.
Në fakt, janë vetë qytetarët ata që akuzojnë institucionet që do të duhet të bënin hetimin e kompanive Blue, Lux, King dhe Smart Taxi, se janë të lidhur me ta.
“Kisha parasysh raste të personave publikë nëpër botë, së paku nga çfarë lexojmë, që nëse kanë lidhje ose janë imazhi i një x kompanie dhe del një informcion i tillë, bëjnë një deklaratë apo distancohen nga kompania në fjalë. Se për blu-në s’ishte vetëm fakti që një nga taksistët bënte ndere, por s’kishin licensë. Taksistët kanë përgjegjësi personale. Kurse pjes e licensës është përgjegjësi e kompanisë. Këtë kam parasysh kur them se pres nga dy persona publikë që janë “imazhi” i kompanisë.”-shkruan një qytetar pas sulmit që një personazh publik bëri ndaj ZËRI-t në gjendje të shfrenuar.
Denoncimet përfshijnë bllokimin e rrugës nga kompania Blue Taxi te rruga e Ish-Parkut të Autobusave, atje ku dhjetra banorë nuk kanë mundësi as të ngrejnë zërin, sepse të gjithëpushtetshmit janë në terren.
Të tjerë qytetarë flasin për lidhjet e një shefi Komisariati në Tiranë, me kompaninë Lux Taxi dhe sesi policia i ka duart e lidhura për të kontrolluar këto kompani, pasi Lux ka bllokuar parkingun e zonës për të karikuar automjetet elektrike që ka vendosur në terren.
“Kemi telefonuar disa herë Policinë për parkim dhe vijnë dhe ikin. Kjo është shumë shqetësuese. Lidhjet janë e gjithë Policia bashkiake dhe Policia Rrugore, karikojnë markinat aty normalisht gjatë kohës së karikimit. Hanë e pinë me ‘Lulin’, pronarin e Lux në lagje dhe thonë policët në heshtje se nuk vëjmë gjoba se shefi i Komisariatit nr.2 ka makina të vetat nën logon e Lux”-thotë një tjetër qytetar.
Disa media online si “Gazeta Jonë” apo “Boldnews” kanë raportuar në të shkuarën sesi një nga makinat e Blue Taxi përplasi një makinë dhe një motorçikletë por ngjarja u mbulua dhe dritë mori vetëm pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.
Në 4 shtator 2023, një turiste franceze, duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës me një nga makinat e kompanisë “Blue Taxi”, është ngacmuar seksualisht nga shoferi i taksisë. Edhe kjo ngjarje u mbulua në mënyrë të habitshme. Por pse?
Nga ku buron kjo forcë? Nga e gjejnë guximin këto kompani, bashkë me dy kompanitë e tjera në dokumentar, Smart dhe King Taxi, të krijuara me burime të dyshimta financiare, ku burimet e ZËRI-t thonë në koefidencialitet se King Taxi në fakt është mbulesë e aktivitetit të dyshimtë të financuesve realë të cilët ndodhen në Angli, të nxjerrin makinat e tyre pa licensë, me shoferë të pakualifikuar, të futur në punë pa asnjë filtër?
Për këtë, mjafton të shohim bilancet e këtyre kompanive, që në vitet e fundit edhe pse xhiroja vjetore është gati dyfishuar, deklarojnë një fitim minimal. Për vitin 2021, Blue Taxi deklaron se ka fituar vetëm 23 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2022, 14 milionë lekë të vjetra për të dy ortakët Krenar Çoçaj dhe Akiljan Bramo.
Është edhe më i dyshimtë fakti që këto kompani me këto balance financiare, arrijnë të investojnë në blerje të automjeteve me vlera që kapin shifrën e dhjetra mijëra eurove.
Cili është burimi financiar i themelimit të tyre? Edhe pse kapitali i “Blue Taxi” është 12 milionë lekë, kompania deklaron deri më tani rreth 100 makina Hyundai, me një vlerë disa milionë euro.
Si i punësojnë Blue, Lux, King e Smart, shoferët e tyre dhe i mbajnë në punë nga 12 orë?
Pyetjeve të ZERI-t, Gazeta Jonë i shton edhe një tjetër që me sa duket mungon: Pse ASKUSH nuk flet pë GREEN TAXI?!
Blue Lux Green Taxi