Mbrëmjen e djeshme u arrestua me akuzën e pastrimit të parave Alda Klosi alias “Çiko”, ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt. Ish-zyrtarja mbrëmë u mbajt në drejtorinë e policisë Tiranë për disa orë më pas u çua në paraburgim. Pas rreth një muaji hetime, Klosi ka të njëjtin fat me pastruesen dhe djalin e saj, të tre në qeli.

Pastruesja personale e Alda Klosit, Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi arriti të vjedhë ne dhjetor 2022 një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori, që dyshohen se i përkasin zyrtares Alda Klosit.
Zyrtarja ka pranuar se të sajat janë vetëm 120 mijë euro që ia kishte lënë xhaxhai, i cili vdiq disa javë më parë. Arrestimi i saj dyshohet se erdhi pas një rrëfimi të pastrueses Rozeta Dobit.

Alda Klosi Alias Çiko është verifikuar për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mosdeklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë.