Tensione, përplasje dhe akuza. Me plot episode u shoqërua seanca e sotme plenare, ndërsa paralelisht jashtë Kuvendit u mbajt një protestë e thirrur nga opozita. Për gati 1 orë e gjysmë, deputetë të PD-së u përplasën me socialistët, ku kryefjalë e akuzave ishte çështja McGonigal, ndërsa disa prej tyre nuk u lejuan që të hynin në sallë pasi ishin të përjashtuar.

Ndonëse salla u përfshi nga debate të ashpra, ku Garda u ngrit dy herë për të rrethuar foltoren, kryetari i PD-së Sali Berisha mori disa herë fjalën dhe pasi ndërpritej nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla fuste në ‘lojë’ “Facebook”-un e tij, nga ku bënte lidhje live.

Në sallën e Kuvendit nuk munguan as zhurmat e shkaktuara nga rënia e bilbilave, si dhe goditja me duar e tavolinave, në shenjë proteste për situatën e krijuar në Kuvend, seancë në të cilën kryeministri Edi Rama mungoi për të disatën herë. Ndërkohë, jashtë sallës së Kuvendit, ku u mbajt për gati 2 orë protesta e opozitës, u regjistruan disa episode të dhunshme.

Protestuesit tentuan në disa momente të çanin kordonin e policisë, për të hyrë në Kuvend, ndonëse ‘fortifikimi’ ishte shumë i madh. E mes shumë përplasjeve, protestuesit hodhën flakadanë, shashka e mjete të ndryshme piroteknike. Teksa në Kuvend fliste Berisha, fjalimi i tij ndiqej nga protestuesit jashtë të cilët e mbështesnin me brohorima. Në fjalën e tij për mediat Berisha tha se protestat e tilla nuk do të ndalen, ndërsa kur u pyet nëse kjo gjë do të bëhet edhe ditën e enjte ai u shpreh; ‘Pa diskutim!’.