Tenderat janë kryefjalë. Tre ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një procedurë prokurimi për blerjen e pajisjeve dhe mobilieve për Qendrën e Vizitorëve. Vlera e tenderit nuk është e vogël, por 210 milionë lekë pa TVSH.

Në listën e preventivit për t’u blerë janë parashikuar karrige, pufe me ajër për fëmijët, banak për recepsionin, gardërobë, biblioteka, tavolina, vazo, etj.

Deri në 10 korrik dorëzohen ofertat dhe për 60 ditë duhet të jetë gati, pra në fillim të sesionit të ri parlamentar që nis në shtator. Deri këtu asgjë të keqe. Problemi qëndron nëse bëjmë një kërkim të thjeshtë në Google.

Në datë 22 Maj të tre viteve më parë Instituti Demokratik Amerikan (NDI) bashkë me Kuvendin hapën një thirrje për të marrë pjesë për ide projektimi për ngritjen e Qendrës së Vizitorëve në Kuvend. Afati ishte një muaj për të dorëzuar projektet.

Kjo iniciativë është pjesë e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri. Komisioni i vlerësimit do të përzgjedhë një fitues për Çmimin e Parë dhe dy për Çmimin e Dytë.

Fituesit do të shpërblehen me 500 USD për Çmimin e Parë, dhe nga 200 USD për Çmimin e Dytë”, i cili zbatohet nga NDI dhe  Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen e qeverisë zvicerane” thuhet në njoftimin e Institutit Demokratik Amerikan (NDI) asokohe, pra tre vite më parë në një postim në rrjetet sociale, faqen zyrtare.

Tashmë pyetja që shtrohet është; a u financua, zbatua dhe realizua njëherë ky projekt nga donatorët, po tani po bëhet një tender për të njëjtën gjë me lekët e taksapaguesve shqiptarë?