Jetojmë në një kohë ku përditë e më tepër rriten pa ndalim çmimet për të gjitha produktet. Natyrisht rritja ndihet më shumë tek familjet e varfëra dhe në gjendje mesatare ekonomike ku ajo që i vret më tepër janë çmimet e ushqimeve bazë. Vetëm pak ditë më parë mjafton të përmendet se u rritën përsëri çmimet e bulmetit, si qumësht, kos apo djath, duke e shtuar akoma më tej barrën e një familjeje.

Vështirësitë ndërkaq i ka shtuar akoma më tej edhe çmimi i karburanteve ku siç dihet pak ditë më parë arritën në nivelin e rreth 250 lekëve të reja për litër. Por meëgjithatë, duket se vështirësitë ekonomike të popullit nuk u bëjnë aspak përshtypje politikanëve. Kështu rezulton se Lindita Nikolla ka organizuar një tender nëpërmjet institucionit që ajo drejton për të blerë llampadarë. Po, po, llampadarë, e lexuat mirë.

Dhe për këtë ka shpenzuar plot 17 milionë lekë të vjetra me TVSH. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-23571-04-14-2022 me objekt “F.V Llampadarë”. Fondi limit i këtij tenderi ka qenë 1,479,453 lekë të reja pa TVSH ose rreth 17 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fitues është shpallur një person fizik i quajtur Gentian Horieti i cili për habi ka ofruar një vlerë të barabartë thuajse sa 100% e fondit limit.