Për rreth 60 minuta presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në tv me regji qëndrore për të argumentuar vendimin e tij të njohjes së rajoneve separatiste në Ukrainën lindore si të pavarura. Bëhet fjalë për Luhanskun dhe Donetskun, të cilat prej 8 vitesh qëndrojnë të okupuara nga ushtria ruse.

Me njohjen e këtyre territoreve të pushtuara, Vladimir Putin i hap rrugën një pushtimi më të gjerë ushtarak të Ukrainës. Ai tha se Ukraina lindrore ka qenë pjesë e Rusisë historikisht. Të pranishëm në Kremlin ishin edhe dy udhëheqësit e caktuar nga Putin të Donetskut dhe Luhanskut. Ata nënshkruan së bashku një dokument për njohjen që natyrisht e konteston bota mbarë përvec shteteve satelitë të Rusisë.

Këtë shfaqje që praktikisht do të thotë luftë e hapur ndaj Ukrainës, Putin e shfrytëzoi edhe për të kritikuar ish-udhëheqësin komunist të Rusisë, Vladimir Lenin, duke thënë se ai e disavantazhoi Rusinë duke qenë arkitekt i Ukrainës.  Për këtë të fundit Putin tha se nuk ka pasur kurrë një traditë shtetërore.

“Rusia u grabit kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991,” tha Putin duke e quajtur shembjen e BS si një katastrofë gjeopolitike.