Dorëheqja e Lulzim Bashës ditën e hënë, ishte një nga veprimet e shumëpritura prej demokratëve dhe u duk sikur i hapi rrugën bashkimit të demokratëve.

Por kushtet e vendosura nga PD zyrtare për anëtarët e Komisionit të Rithemelimit që lidhen me ndalimin e Berishës për të kandiduar për kryetar partie, duke se po i largojnë akoma dhe më shumë palët që të gjejnë një zgjidhje.

Kujtojmë se kryetari në detyrë i PD, Enkelejd Alibeaj, vetëm dy orë pas largimit të Lulzim Bashës, përmes një draft-rezolute të miratuar nga grupi parlamentar, ju kërkonte deputetëve të përjashtuar që të riktheheshin në parti, por me kushtin që ata të gjenin mekanizmin për të mos lejuar Sali berishën që të kandidonte për drejtimin e partisë, si dhe për ta lënë serish jashtë çdo funksioni në PD.
Nga ana tjetër për deputetin Flamur Noka, askush nuk mund të vendosë kushte të tilla për Sali Berishën, aq më tepër sipas tij nga persona që kanë vetëm statusin e deputetit, pasi ata janë shkarkuar me votë nga anëtarësia në 11 Dhjetor.

“Kush janë këta që flasin për bashkim. Kush është Enkelejd Alibeaj? Është thjesht një koleg, një deputet, siç është Flamur Noka sot. Pse? Sepse si Alibeaj si Brava janë shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit, ata dhe të gjithë kryesinë e emëruar nga Basha”, tha Noka.

Më tej Noka ka theksuar se Berisha jo vetëm që nuk do të tërhiqet, por do të zhvillojë një tjetër tur bashkimi në të gjithë Shqipërinë.

Noka deklaroi në Faxnews se pjesë e turit të Berishës do të jenë edhe ata deputetë që deri dje kanë qenë neutralë, duke theksuar se bashkimi i demokratëve bëhet vetëm përmes votës dhe jo përmes kushteve.

“Shumë shpejt do të shihni një tur të Sali Berishës dhe Komisionit për bashkimin e PD-së. Edhe deputetë të cilët kanë qenë neutralë apo mbështetës së Bashës tashmë kanë kërkuar që PD të bashkohet” – u shpreh Noka.