Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të njihet sot me masën e sigurisë. Ai akuzohet se ka shkelur detyrën për një pallat 11 katësh, që ka ndërtuar shtesë pa leje si dhe për një tender për rërën në plazhin e Currilave, ndërsa ndaj tij zyrtarisht rëndojnë akuzat për ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’.

Ndërkohë, pas rreth 5 orësh, ka përfunduar seanca në GJKKO për Vangjush Dakon, teksa trupa gjykuese është tërhequr për vendimin. Mësohet se Dako kërkon lirim përmes garancisë pasurore.

Siç shihet nga pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të arrestuar u shfaqen të gjithë pas kafazit prej xhami, në pritje të caktimit të masës së sigurisë.

Dako, shpallur non-rata nga SHBA, i ka kundërshtuar akuzat përmes avokatit të tij. Seanca pritet të zgjasë, ndërsa do të zhvillohet me dyert të mbyllura.

SPAK në kuadër të hetimit të bërë mbi bazën e një kallëzimi të disa banorëve të një pallati të shembur nga tërmeti i 2019-ës, ka lëshuar 7 urdhër-arreste.