Konflikti në Ukrainë ishte objekti i diskutimit mes ministrave të jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës, përkatësisht Sergej Lavrov dhe Dmitry Kuleba. Të dy u takuan ballë për ballë në Antalia të Turqisë ditën e sotme në një takim të ndërmjetësuar nga ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.
Megjithatë duket se takimi nuk ka rezultuar i suksesshëm pasi nuk është rënë dakord për asnjë nga çështjet. Një takim tjetër është kërkuar nga të dyja palët në një moment të mëvonshëm.

Në qendër të bisedimeve ishin:
– Vendosja e një armëpushimi të menjëhershëm
– Përmirësimi i kushteve humanitare në Mariupol, Kharkiv, Sumy, Volnovakha dhe qytete të tjera të Ukrainës
– Tërheqja e trupave ruse nga Ukraina

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se nuk është bërë përparim në arritjen e një armëpushimi në bisedimet të enjten me homologun e tij rus Sergei Lavrov, bisedimet e para të nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Moska pushtoi fqinjin e saj.

Duke folur pas bisedimeve në Turqinë jugore, Kuleba tha në një konferencë shtypi se situata më e vështirë ishte në qytetin ukrainas të Mariupolit dhe se Lavrov nuk u angazhua për një korridor humanitar atje. Ai i ka bërë thirrje Turqisë që të vazhdojë të punojë me Moskën në mënyrë që të ndalojë gjakderdhjen në Ukrainë.

Ditët e fundit, Kuleba, në rrjetet sociale, kishte shprehur shpresën për “bisedime në mirëbesim, jo nga pikëpamja propagandistike, por realisht me synimin për të gjetur një zgjidhje se si t’i jepet fund luftës nga Rusia. Para takimit trepalësh, Çavuşoğlu zhvilloi takime të veçanta me të dyja palët.