Ndërsa ka shumë njerëz që duan të jetojnë vetëm, shumica duan të jenë në një marrëdhënie romantike me një person tjetër. Megjithatë, mbajtja e këtyre marrëdhënieve të forta për shumë kohë nuk është aspak e lehtë.

Arsyet për këtë janë të ndryshme. Megjithatë, ekzistojnë pesë probleme mjaft të zakonshme që mund të çojnë në përfundimin e një marrëdhënieje.

Çështjet e besimit
Besimi është një komponent thelbësor i një marrëdhënieje të suksesshme. Nëse nuk i besoni partnerit tuaj, nuk mund të shijoni të tashmen dhe për rrjedhojë nuk investoni dot në të ardhmen. Zakonisht pas tyre qëndrojnë çështje që nuk janë diskutuar sa duhet dhe nuk janë zgjidhur siç duhet. Me kalimin e kohës ju “rrafshojnë” lidhjen dhe nuk ju lënë të shijoni momentet me partnerin. Gjithashtu (dhe në të shumtën e rasteve, sipas ekspertëve) këto probleme burojnë nga çështje personale dhe pasiguri të secilit, që projektohen te personi tjetër.

Vështirësi në komunikim

Çiftet shpesh e kanë të vështirë të komunikojnë, duke pretenduar se flasin gjuhë të ndryshme.
Megjithatë, ky dështim në komunikim mund të bëjë që edhe çiftet më të dashura të jetojnë së bashku si shokë të zakonshëm të dhomës dhe jo si çift. Me kalimin e kohës, ndihen të izoluar dhe të vetmuar, me rrezikun për ta kërkuar atë komunikim diku tjetër. Mungesa e komunikimit çon në tjetërsim, prandaj çdo çift duhet të gjejë me durim dhe përkushtim një kod të përbashkët komunikimi.

Xhelozia dhe dyshimi

Nuk po ju themi asgjë të re këtu. Mungesa e besimit dhe komunikimit mund të çojë lehtësisht në ndjenjat e dyshimit dhe xhelozisë. Është e lehtë të akuzosh, gjë që mund të çojë në tensione të mëdha dhe tronditje në marrëdhënie. Megjithatë, zgjidhja më e mirë është një diskutim i qetë dhe i sinqertë dhe jo kontrolli dhe dyshimi i vazhdueshëm, pasi nuk lejojnë askënd të shijojë momentin dhe marrëdhënien.

Zhvlerësim dhe përbuzje
Ndodh disa herë që njerëzit në një lidhje e marrin tjetrin si të mirëqenë. Kështu, në vend që të tregojmë admirimin dhe dashurinë tonë, ne shpesh kënaqemi me komente negative për pamjen e tij apo për atë që ka arritur. Ne gjithashtu mund të nënvlerësojmë sukseset dhe përpjekjet e tij. Megjithatë, kjo sjellje mund të sjellë vetëm konsumimin e një marrëdhënieje, tjetërsimin dhe fërkimin. Të zhvlerësojmë partnerin, jo vetëm që e nënvlerësojmë atë, por edhe zgjedhjet tona. Në fund të fundit, admirimi në një çift e mban më të gjallë pasionin mes tyre.