Argumentet që kanë dhënë Ministria e Financave dhe ajo e Bujqësisë për t’i refuzuar kërkesat e njëpasnjëshme të Erion Braçes për më shumë mbështetje për fermerët dhe ndryshim të skemave të Taksës mbi Vlerën e Shtuar dhe të subvencionit janë qesharake.

Pasi nuk arritën ta bindnin dot me ‘sa është bërë dhe se sa shumë do të bëhej vitin e ardhshëm’ me buxhetin e vënë për ta në dispozicion, dy institucionet i janë përgjigjur Erion Braçes gojarisht se po u prishte imazhin, se po dëmtonte bujqësinë, se ndikon keq te bankat në kreditimin e këtij sektori e të tjera si këto.

Ky argumentim, gjithmonë nëse mund të quhet i tillë, i është komunikuar Erion Braçes në korridoret e Kuvendit nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë gjatë diskutimeve në komisione të shpërndarjes së të ardhurave, për këtë vit dhe për vitin tjetër.

Aq sa mund të bindë fermerët dhe gjithë qytetarët e tjerë, ky argumentim ka bindur aq edhe vetë deputetin. Braçe ka ironizuar me këtë gjatë fjalës së mbajtur në seancën e fundit parlamentare për këtë vit.

“Dje mësova që kur them të vërtetën nxij bujqësinë. Kur flas për bujqit, flitkam për zgripin e bujqësisë, madje e vërteta që unë them, ndikoka tek niveli i ulët i kreditimit nga bankat për bujqësinë”, deklaroi Braçe.

Në të njëjtin fjalim, Braçe u përgjigjet edhe akuzave që kanë ngritur përfaqësues të qeverisë, që e kanë cilësuar populist me kërkesën e vazhdueshme që bën që fermerët fitues nga skema e mbështetjes me naftë ta përfitojnë atë.

Janë të paktën 20 mijë fermerë që nuk e kanë përfituar këtë naftë, megjithëse kanë plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga Ministria e Bujqësisë dhe janë shpallur fitues.