Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë goditur një grup kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe vrasje. Prokuroria Themelore kundër Krimit të Organizuar në Shkup ka lëshuar 16 urdhër-arreste pas hetimeve të kryera prej disa muajsh dhe analizimit të bisedave në aplikacionin e koduar “SKY”, që është zbërthyer nga agjenci ligjzbatuese të huaja.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në mesin e ngjarjeve kriminale të zbardhura, është edhe vrasja e shqiptarit nga Kavaja Riku Beu 35 vjeç, trupi i të cilit u gjet i groposur më 15 Maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit.

Trupi që në atë kohë dyshohej se i përkiste një shqiptari nga Kavaja, u arrit të provohej përmes analizave të ADN-së se ishte i 35-vjeçarit Riku Beu. Që në atë kohë, dyshimet u ngritën se shqiptari ishte vrarë për çështje të trafikut të drogës, e së fundmi, autoritetet maqedonase kanë pohuar se kjo vrasje dhe të tjera kanë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të narkotikëve.

Organizata kriminale në Maqedoninë e Veriut, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte krijuar fillimisht nga 3 persona në vitin 2019, 2 prej të cilëve sot nuk jetojnë më, e më pas u bënë anëtarë një numër i madh. Kjo organizatë trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, por një pjesë e saj ishte e destinuar edhe për në tregun maqedonas. Konfliktet për çështje të trafikut të lëndëve narkotike, besohet se i kanë marrë jetën edhe shqiptarit Riku Beu, trupi i të cilit u gjet i groposur në periferi të Shkupit./ TvKlan