Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë të enjten se forcat ruse po tentojnë të marrin kontrollin e uzinës bërthamore, Çernobil. Aty ka ndodhur katastrofa më e keqe bërthamore.
Forcat ushtarake ruse kanë hyrë aty dhe luftimet kanë rritur frikën se mund të shkaktohet ndonjë katastrofë bërthamore e shkallës së gjerë, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
“Forcat pushtuese ruse janë duke tentuar të marrin kontrollin e Çernobilit. Ushtarët tanë janë duke dhënë jetën që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet më”, ka thënë Zelenskyi në Twitter.
Ai ka thënë se forcat e Kievit janë duke luftuar me trupat ruse për kontrollin e Çernobilit, nga i cili është përhapur mbetje radioaktive përreth Evropës, kur një nga reaktorët bërthamorë ka shpërthyer në prill të vitit 1986.
Në uzinën, e cila gjendet 130 kilometra në veri të Kievit, reaktori që dikur ka shpërthyer, tani është i mbuluar me strehë mbrojtëse për të parandaluar rrezatimin.