Kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu, harxhon sa qimet e kokës për të asfaltuar një rrugicë fshati. Lekët e tenderit ia çon në xhep një të dënuari për falsifikim! Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Sistemim asfaltim i rrugës së fshatit Majtarë e Poshtme” me fond 233 milionë lekë.
Ku shohim sa para do të shpenzohet sigurisht ju shkon mendja që do të shtrohet ndonjë rrugë kryesore në fshat. Por, në fakt më poshtë shohim që bëhet fjalë për një segment 1.72 km të gjatë. Rrugës do t’i pastrohen barishtet dhe do t’i hidhet një shtresë asfalti.
“Rruga do të ketë një gjatësi totale prej 1720 m, gjerësi të përgjithshme prej 4.60 m , dhe do të përbëhet nga : -trupi i rrugës me gjerësi 4.60 m – pjesa e asfaltuar me dy pjerrësi tërthori 3.60 m – dhe në të dyja anët bankine me stabilizant me gjerësi 2 x 0.50 m”, thuhet në të dhënat e preventivit. Pra, qenka një rrugicë e ngushtë
Ndërkohë edhe fotot më poshtë të paraqitura në anekset e kontratës tregohet që do të shtrohet një rrugicë, që sigurisht do t’i vijë në ndihme banorëve, por mund të realizohet me më pak shpenzime.
Tenderi me “Red Flag”
Abuzimi dhe korrupsioni është shpjegimi pse Spahiu ka lëshuar dorën me këtë fond. Në dokumentet e tenderit shohim se gjatë prokurimit në mars 2023 kanë paraqitur oferta 3 kompani, por në atë kohë procedura u anulua nga vetë bashkia AK për “shqyrtim”.
Njëra nga kompanitë, S I R E T A 2F e ankimoi këtë vendim për anulim procedure në korrik 2023, por KPP e mbylli çështjen me refuzim të ankesës. Ndërsa në shtator 2023, Spahiu solli versionin përfundimtar të tenderit dhe për të mos pasur më përplasje shpalli automatikisht fituese, pa garë fare, firmën “S I R E T A 2F”, në pronësi të çiftit Fatime dhe Fiqiri Pali. Pra, “anulimi” ishte loja e Spahiut për t’ia dhënë tenderin kësaj kompanie. Në dokumentin më poshtë duket qartë se tenderi është shënuar me “Red Flag” nga monitoruesi Open Data për shkak të riskut të lartë të korrupsionit.
Në dokumente rezulton se pronare është Fatime Pali, por themeluesi dhe aksioneri i vërtetë i firmës është Fiqiriu.
Gjithsesi pazaret janë bërë brenda familjes dhe urdhrat vazhdon t’i japë Fiqiri Pali. Ky i fundit njihet për faktin që është dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.
Ai arrestua dhe u dënua në vitin 2008, si pjesë e një skeme korrupsioni, ku vidheshin paratë publike me tenderë abuzivë. Skema funksiononte me disa institucione, por policia dhe prokuroria dokumentoi një aferë me Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta.
Fiqiri Pali, në bashkëpunim me Llambi Tarkën, u akuzuan në atë kohë se korruptuan zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, duke paracaktuar tenderin e rikonstruksionit të ministrisë dhe duke ndarë fitimet bashkë.
Ndërsa tani vazhdon të përfitojë tenderë pa garë, sepse zyrtarët e korruptuar janë gjithandej nëpër bashkitë e vendit. /gijotina