Qeveria ka vendosur që duke nisur nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji të nisi pa makina, në qytetet kryesore të çdo qarku.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, që tha se kjo bëhet jo thjesht për të kursyer çmimin e karburanteve në rritje, por edhe për të mirën e mjedisit.

“Reagimi ka qenë i shpejtë dhe me ngritjen e bordit të transparencës po jepen rezultatet e rritjes dhe abuzimit të karburanteve dhe ushqimeve të shportës. Prandaj e nisim planin e ditës pa makina nga e diela e parë e çdo muaji, duke filluar që në datën 3 prill. Është thirrje e kahershme për ndotjen që shkaktojnë automjetet.

Shqipëria në samitin e dedikuar ndaj mjedisit, morën pjesë në nivelin më të lartë, morën angazhimin për të ulur nivelin e emetimeve deri në vitin 2030. Ka dy mënyra se si të reagojmë. Më e lehta është të pyesim dhe të themi se përse gjërat nuk bëhen më mirë. Nëse duhet përgjigje më e shpejtë, të themi se çfarë mund të bëj unë për të përmirësuar situatën. Ka ardhur koha për të bërë diçka”, tha Kumbaro.