Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë (260 milionë £) që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende, ka pretenduar SHBA.
Mes tyre mësohet të ketë qenë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, raporton BBC.
Referuar deklaratave të Departamentit të Shtetit mësohet se Partia Demokratike në Shqipëri është financuar nga presidenti Vladimir Putin me 500.000 dollarë në zgjedhjet e vitit 2017.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Ky fakt është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.
Veç Shqipërisë, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.
Ndërkohë, autoritetet ruse deri më tani nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike mbi pretendimin e SHBA.