Një person ka humbur jetën, ndërsa 17 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri në një lokal në Prishtinë që degjeneroi deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 Gushtit. Siç raportojnë mediat e Kosovës, dyshohet se gjithçka ka nisur pas një sherri verbal mes disa të rinjve.
Klan Kosova raporton se viktima është një 39-vjeçar,i cili humbi jetën si pasojë e plagëve shumë të rënda .
Drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla, raportoi se prej 17 të lënduarve 1 prej tyre është në gjendje kritike për jetën. Sipas tij, 7 persona janë plagosur me armë zjarri, ndërsa 10 të tjerë nga thyerja e xhamave etj.
“Krejt i kemi 17 të lënduar. 7 janë me armë zjarri kurse 10 janë me lëndime të tjera, me xhama. Të gjithë janë në gjendje stabile, ndërsa njëri është në sallë të operacionit dhe është në rrezik për jetën. Ndërsa, prej këtyre gjashtë të tjerëve, një nga ta pret që të hyjë në sallën e operimit, por gjendja e tyre është stabile. Mosha e pacientëve sillet prej vitit 1984 deri në 2003”, ka deklaruar Syla.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi. Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore”, tha Agron Borovci, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës.
Autoritetet kanë identifikuar të paktën dy të dyshuar për këtë ngjarje. Ndërkohë dëshmitarë të ngjarjes kanë thënë për Klan Kosovën se kanë pasur familjarë që janë plagosur në mënyrë aksidentale, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në sherr.