15 persona u arrestuan sot nga Guardia di Finanza, në Basilicata, Liguria dhe Puglia, si pjesë e një operacioni antidrogë nga antimafia e Potenzas. Policia goditi një klan të përbërë nga italianë dhe shqiptarë të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike (heroinë, kokainë, hashash dhe marihuanë) nga Shqipëria, ku investoheshin dhe të ardhurat e akumuluara.

Organizata ishte krijuar në Scanzano Jonico (Matera), në një fermë që shërbente si “bazë” për trafikun e drogës.

Lidhja me Shqipërinë u bë përmes “një sistemi kompleks bisedash të koduara”.

Trafikantët përdornin një platformë mesazhesh të konsideruar “të sigurt dhe të blinduar”. Autoritetet sekuestruan mbi 20 kilogramë heroinë, 5.7 kilogramë marihuanë dhe 105 gram kokainë.

Krahas arrestimit të 15 të dyshuarve, kryesisht shqiptarë, mes të cilëve edhe “kreu” i organizatës dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, pronar i fermës, u kryen sekuestrime parandaluese të aseteve me një vlerë prej 4.2 milionë euro, “që i përgjigjet fitimit të vlerësuar nga trafikimi i paligjshëm i lëndëve narkotike”.

Të ardhurat nga trafiku i drogës investoheshin në Shqipëri “për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe aktivitetet tregtare”.