Në kuadër të operacionit të koduar “Closed”, uniformat blu kanë zbuluar një banesë të pabanuar në fshatin Veliqot të Tepelenës, të përshtatur me llamba që furnizoheshin me energji elektrike, për kultivim të bimëve narkotike kanabis në vazo.

Nga ky ambient, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 249 bimë narkotike të mbjella në vazo, 25.35 kg lëndë narkotike kanabis, llamba, pajisje ventilimi dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit: D. Xh., 27 vjeç, banues në fshatin Veliqot (pronari i banesës) dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Sarandë, bashkautorë në këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.