Ditën e sotme nisi zbatimi i amnistisë penale, ku do të përfitojnë rreth 800 të dënuar.
Ministri Ulsi Manja, sqaroi se asnjë zyrtar i lartë, i cili është dënuar nga GJKKO, nuk përfiton nga amnistia penale.
Por në videon e mëposhtme shohim se si del nga burgu i Reçit, ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.
Frrokaj ka përfituar nga amnistia penale, në daljen e burgut ai u shpreh se: Uroj që askush të mos e provojë eksperiencën e burgut.
Frrokaj u dënua në muajin tetor të vitit 2022 me 3 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës, është dënuar edhe nga Gjykata e Posaçme me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone.
Ndër të tjera, Frrokaj është dënuar që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.
Rithemelimi dhe PS në votimin e Amnistisë Penale, u shprehën se nuk do lirohet asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Por shembulli i parë se si kjo amnisti ishte një favorizim dhe gënjeshtër politike është lirimi nga qelia i Fran Frrokaj.
Burime thanë se do kemi lirime të tjera të zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Deri tani nuk kemi asnjë reagim edhe nga Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, e cila ishte kundër kësaj amnistie duke e quajtur: Pazari i radhës.
Kjo ndoshta vjen për shkak se ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frokaj vjen nga radhët e Partisë Demokratike dhe PD ka zgjedhur të heshtë. /voxnews