Personi që shihni tek fotoja e mëposhtme është autori i vrasjes së 50-vjeçarit Ardian Nikulaj (Marku), mesditën e kësaj të mërkure brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës.

Siç shihet dhe tek fotoja, motorçikleta është tip skuter dhe është me targa të huaja. Autori ka vepruar i vetëm, teksa ka qenë i veshur me një jelek me fosforieshent dhe me skafandër në kokë. Ky moment është kapur nga kamerat e sigurisë.

Autori ka ardhur nga qyteti i Shkodrës, ka kryer vrasjen dhe më pas është larguar sërish drejt Shkodrës. Dyshohet se ai e ka lënë motorçikletën në një vend të shkretë dhe më pas është ndihmuar dhe nga persona të tjerë për t’u larguar.

Autori zbriti nga motori, u fut brenda lokalit ku ndodhej i ulur i vetëm në një tavolinë Ardian Nikulaj (Marku), ka qëlluar me 6 plumba drejt tij me armë zjarri pistoletë tip TT, ku një prej plumbave e ka zënë në ballë, një në trup dhe 4 të tjerë tek xhami pas tij. Pas vrasjes, autori është larguar sërish i qetë.

Për zgjedhjet e 14 Majit, Nikulaj ishte kandidat për Këshillin Bashkiak në Lezhë me Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, teksa në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë dhe kandidat për deputet me këtë forcë politike, si dhe më herët ka qenë drejtor i Aluiznit në Lezhë. Por, së fundmi ai kishte dalë kundër kryebashkiakut të PS-së, Pjerin Ndreu dhe mbështeste kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Gjithsesi, dyshohet dhe për përplasje krimi apo edhe biznesi, pasi ishte një emër i njohur për Policinë dhe me shumë influewncë në zonën e tij. Dy muajt e fundit, ai lëvizte me automjet të blinduar.