Në Itali qeveria po diskuton mbi një projektligj që synon të zgjasë ndalimin e pirjes së duhanit edhe jashtë ambienteve të mbyllura, në rastet kur mungon në një lokal një zonë e rezervuar për duhanpirësit.

Nëse miratohet, projektligji do të forcojë ndalimet kundër duhanit, duke përfshirë edhe cigaret me ngrohje që në Shqipëri shiten nën markën IQOS apo ato elektronike.

Sipas Gazeta Jonë Ndërsa dëmet e duhanit njihen prej vitesh (konsumimi i vazhdueshëm mund të jetë shkaku i të paktën 27 sëmundjeve, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri), njerëzit kanë vitet e fundit një tendencë për të kaluar në IQOS apo te cigarja elektronike. Madje ka nga ata që konsiderojnë atë si një ”mjet për të lënë duhanin”. Në fakt nuk është kështu sipas studimeve.

As IQOS dhe as cigaret elektronik nuk ndihmojnë në lënien e duhanit madje janë më të dëmshme se cigaret normale.

ZGJIDHJA është braktisja e çdo lloj cigareje. E nëse jo, mirë është të mos mashtroheni nën marka që bëjnë shumë reklamë, duhani dëmton njëlloj si me IQOS, me cigare elektronike apo cigare normale.

Sepse studimet i konsiderojnë edhe më të dëmshme këto cigare sesa duhani tradicional. Këtë të fundit e mbështesin studime gjithnjë e më të thelluara. Siç rezulton nga një studim i kryer së fundi nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, duket se përdorimi kronik i cigares me nxehje (IQOS) apo elektronike nxit edhe dëmtime serioze në sistemin kardiovaskular si hipertensioni dhe trashja e mureve të arterieve (faktor rreziku për infarkt miokardi dhe goditje në tru).

Duhet pasur parasysh se përdorimi i cigareve me nxehje (IQOS) apo elektronike është rritur jashtëzakonisht shumë në dekadën e fundit, sidomos në mesin e shumë të rinjve (sipas një sondazhi të Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Itali, 41.5 për qind e nxënësve të moshës 14-17 vjeç i përdorin ato).

Një tjetër studim i udhëhequr nga Shkolla e Mjekësisë Perelman e Universitetit të Pensilvanisë në SHBA, krahasoi mushkëritë e duhanpirësve tradicionalë me ato të përdoruesve të cigareve me nxehje (IQOS) apo cigareve elektronike, duke zbuluar se këta të fundit kanë nivele shumë më të larta të inflamacionit të mushkërive se të parët.

Rezultatet e studimit u publikuan në “Journal of Nuclear Medicine”. Studiuesit në Universitetin e Pensilvanisë ekzaminuan dhe krahasuan mushkëritë e 5 duhanpirësve të cigareve me nxehje, 5 duhanpirësve të cigareve nornale dhe 5 joduhanpirësve duke përdorur tomografinë me emetimin e pozitroneve (PET).

Kjo teknologji, e përdorur zakonisht për diagnostikimin e kancerit, zhvillohet me anë të një radio-ilaçi që administrohet në mënyrë intravenoze në parakrah, që përmban një molekulë (ose gjurmues) që harton procesin patologjik që synohet të analizohet.

Në këtë rast, gjurmuesi lidhet me një enzimë të quajtur “sintazë e induktueshme e oksidit nitrik” ( iNOS), e cila është e përfshirë në prodhimin e trupit të oksidit nitrik (një gaz që shkakton inflamacion).

Njerëzit me astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD) kanë zakonisht nivele të larta të inflamacionit dhe iNOS.

Për të përcaktuar se sa gjurmuesi ishte lidhur me enzimën në mushkëritë e duhanpirësve, përdoruesve të cigareve me nxehje dhe joduhanpirësve.

Studimi zbuloi se përdoruesit e cigareve me nxehje (IQOS) apo elektronike, kanë nivele dukshëm më të larta të iNOS sesa jo duhanpirësit dhe përdoruesit e cigareve të zakonshme. Studiuesit analizuan edhe shënuesit e inflamacionit në gjak, por nuk gjetën dallime midis tri grupeve.

“Megjithatë pirja e cigareve me nxehje apo elektronike ka më shumë të ngjarë të dëmtojë mushkëritë në një periudhë afatgjatë, bazuar në sinjalet e rrezikut afatshkurtër që u shfaqën në këtë studim”, – theksohet në studim. Është e vërtetë, që bëhet fjalë për një studim të vogël.

Ndaj kërkohen kërkime më të gjera për të verifikuar këto gjetje, dhe madje për të siguruar statistika më të qëndrueshme. Megjithatë, është gjithnjë e më e qartë se cigarja me nxehje (IQOS) apo elekronike është po aq e dëmshme sa tymi i duhanit të zakonshëm, në mos më shumë.

Pse duhet ta lini duhanin

Siç nënvizohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, lënia e duhanit sjell një sërë përfitimesh të menjëhershme dhe afatgjata për trupin për të gjithë duhanpirësit:

– Brenda 20 minutave ngadalësohen rrahjet e zemrës dhe bie presioni i gjakut;

– Pas 12 orësh niveli i monoksidit të karbonit në gjak rikthehet në nivele normale;

– Nga 2-12 javë pas lënies së duhanit përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive;

– Nga 1 deri në 9 muaj pas lënies së duhanit, reduktohet kolla dhe gulçimi;

– Pas 1 viti përgjysmohet rreziku i sëmundjes koronare, në krahasim me atë të një duhanpirësi;

– Pas 5-15 vjet pas lënies së duhanit, rreziku i goditjes në tru reduktohet në të njëjtin nivel me atë të një joduhanpirësi;

– Pas 10 vjetësh rreziku i kancerit të mushkërive bëhet sa gjysma e atij të duhanpirësit, ndërsa zvogëlohet rreziku i kancerit të gojës, fytit, ezofagut, fshikëzës, qafës së mitrës dhe pankreasit;

– Pas 15 vitesh rreziku i sëmundjes koronare të zemrës, është i ngjashëm me të dikujt që nuk ka pirë kurrë duhan. / Gazeta Jonë