Tre fëmijë, një 14 vjeç dhe dy 15-vjeçarë dyshohet se kanë vrarë një të pastrehë në lagjen Lippe në Frankfurt të Gjermanisë. Mediat lokale shkruajnë se të miturit e kanë filmuar të gjithë ngjarjen.
Prokurori publik Alexander Görlitz ka urdhëruar masën e paraburgimit për tre të rinjtë, të cilët akuzohen për vrasje të kryer së bashku.
Trupi i pajetë i të pastrehut u gjet nga një kalimtar në një fushë në Horn-Bad Meinberg të enjten në mëngjes. Sipas prokurorit publik, dy adoleshentët kanë pranuar se kanë ushtruar dhunë ndaj të pastrehut.
Viktima dhe autorët janë takuar rastësisht. Të rinjtë kanë nisur ta rrahin dhe kanë filmuar të gjithë skenën, të cilën e kanë shpërndarë dhe në rrjetet sociale. Më pas, ata janë larguar, duke e lënë të pastrehun aty, i cili ka ndërruar jetë më vonë nga plagët e shumta.
Nëpërmjet pamjeve të shpërndara në rrjet, hetuesit kanë mundur të bien në gjurmët e grupit të të rinjve. Në trupin e viktimës janë kosntatuar edhe plagë të shkaktuara me thikë.