Kryeministri Rama ka reaguar pas tensioneve të forta në Kuvend, të shkaktuara pas kërkesës së opozitës për të zhvilluar interpelancë me të dhe jo ministren Spiropali.

Rama shkruan në “Twitter”, se drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim drejt tij dhe se kjo situatë është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës.

Kryeministri shton më tej se po bëhet një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit.

Reagimi i plotë i Ramës:

Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.

Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!