Një ngjarje e rëndë që i ngjan një atentati ka tronditur Sarandën, ku është rrafshuar me lëndë plasëse një prej hoteleve më të vjetra në shëtitoren e qytetit.

Bëhet fjalë për hotel ‘Bizanti’, i ndërtuar në 1996 që ka 2 ortakë, Spiro Çabirin dhe Dhimitër Evangjeliu që janë në proces gjyqësor me njëri-tjetrin për pronësinë që prej vitit 2002. Një ekspert ka thënë se hotelit i ishte vënë 30 kg dinamit.

Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar terror për banorët rreth orës 05:55 të mëngjesit pasi janë zgjuar të tronditur nga zhurma e fortë.

Ata thonë se ngjante si “akt terrorist” që i ka shokuar të gjithë. Një banore u shpreh se tronditja ishte aq e fdortë sa iu duk si tërmet. Nga vënia e sasisë së madhe të lëndës plasëse nga autorë ende të paidentifikuar, e gjithë zona u mbulua për disa çaste nga tymi i zi.