Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është njëri ndër institucionet që pa dyshim ka bërë allishverishet më të mëdha me fondet publike. Nëpërmjet shumë tenderave të dyshimtë ky institucion nuk ka lënë xhepa e thasë pa mbushur, gjoja në shërbim të të burgosurve.

Një ndër rastet më tipike është edhe ky që do t’ju paraqesim ditën e sotme. Rezulton se befas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i mbaruan kastravecët, bananet e shumë fruta e perime të tjera, aq sa me urgjencë u detyrua të realizojë një tender me negocim, pa njoftim.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-56432-01-20-2023 dhe që ka si objekt “Blerje fruta-perime për nevoja emergjente të DPB, për të dënuarit në IEVP-të”. Fondi limit i kësaj procedure është llogaritur në vlerën 21,558,687 lekë të reja pa TVSH ose rreth 258 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Por nëse fillojmë të shfletojmë dokumentacionin e këtij tenderi, fillon e vjen erë. Shikohet se në këtë procedurë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani duke ofruar çuditërisht vlera shumë të përafërta me njëra-tjetrën.

Gjithsesi fituese është shpallur firma që ka dhënë ofertën më të lartë. Bëhet fjalë për DAJTI PARK 2007 në pronësi aktuale të Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja. Vlen të përmendet se ortak themelues i kompanisë ka qenë vetë Kujtim Qefalia, vëlla i ish-deputetit Xhemal Qefalia.

Vlera e ofruar nga firma fituese DAJTI PARK 2007 është 21,233,458 lekë të reja pa TVSH ose rreth 255 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë vihet re qartësisht se kjo vlerë është thuajse identike me fondin limit, përkatësisht sa 98.5% e tij.