Kreu i PD-së Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës se ka qenë bashkëpunëtore me krimin dhe mafien.
“Punonjësit e kompanisë Rama-Agaçi-Ahmetaj-Veliaj, kanë financuar vizitat turistike, netët e luksit në hotelet me pesë yje të Arben Ahmetajt, asokohe ministër i Ekonomisë, sigurisht jo me para të veta, por të sipërmarrjes qeveritare të vjedhur nga taksapaguesit shqiptarë.
Klodian Zoto, ka paguar me kartën e vet të kreditit, të paktën në pesë raste të raportuara qëndrimin në hotele me 5 yje të Arben Ahmetajt. Kjo vërteton plotësisht deklaratën e PD-së dhe opozitës, e cila ka denoncuar me kohë skemën e mega-vjedhjes së 430 milionë eurove.
Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere.
Është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person.
Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit.
Këto para kanë ikur për blerjen e votave, për lobimet korruptive ndërkombëtare dhe për blerjen e drejtësisë.”, tha Berisha.