Ish-kryeministri, Sali Berisha ka sulmuar sërish nismën e Ballkanit të Hapur, duke thënë se synim i vetëm i saj është asgjësimi i Kosovës .

Teksa flet për raportet e Rama-Vuçiç Berisha tha se kryeministri shqiptar bën avokatin e Serbisë dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në çdo takim.

Ndërsa thotë se Tirana është kthyer në një Beograd të vogël.

“Ne mblidhemi sot me një ndjenjë turpi të madh. Tirana është sot në raport me atë çka është më anti shqiptare, është një Beograd i vogël. Shumë nga ju keni lexuar histori. Tirana e sotme është Tirana e 1945. Kurrë ndonjëherë atë që kanë bërë aradhat partizane shqiptarë në Kosovë nuk do të mund ta bënin aradhat partizane serbo-malazeze pa veprën anti kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Jugosllavia nuk ekzistonte, ekzistonte në letër. Ato gjurmë të njësive partizane të Kosovës nuk jetonin në Kosovë, por Kosova kishte një lëvizje nacionaliste. Divizionet shqiptare shkuan aty dhe u pritën me flamurin e bashkimit kombëtar, ndërsa ata shkuan me flamurin e bashkimit të vllazërimit me serbët. Ajo kulmoi me një genocide të tmerrshëm, masakrën e Tivarit. U vranë me mijëra në Mal të Zi, por qindra syresh u vranë edhe nga Kukësi gjer në Shkodër, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë shqiptarë. Sot jemi në të njëjtën situatë. Beogradi qeveriset nga një udhëheqës dokrinar në genocid. Vuçiç ka thënë në Parlament “për një serb do vrasim 100 myslymanë”. Tani në vend që Shqipëria të përdorë të gjithë forcën diplomatike të saj për ta dërguar në Hagë Vuçiçin, shndërrohet në avokat të tij në çdo takim, përfshi samitin e NATO-s. Në qoftë se ka një gjë që duhet të ndajë njeriun e qytetëruar nga njeriu primitive është qëndrimi ndaj genocidit. Cfarë ndryshimi ka udhëheqësi ynë në Tiranë me udhëheqësin e Beogradit? A nuk tha Ana Brnabic të njëjtat fjalë që tha Rama për masakrat në Kosovë? Në qoftë se në 1945 projekti ishte që Kosova është më e sigurt me Jugosllavinë, por edhe ne do shkojmë drejt saj me Titon sekretar të parë, çfarë po ndodh tani? Ballkani i Hapur është asgjësimi i shtetit të Kosovës”, u shpreh Berisha.

Leave a Reply