Franca është tronditur ditën e djeshme nga arratisja e një të dënuari, teksa po transportohej nga njëri burg në tjetrin. Mohamed Amra i njohur me nofkën “Miza”, ka një të shkuar kriminale në grabitje dhe krime të tjera.
Gjatë arratisjes ditën e djeshme mbetën të vrarë dy efektivë policie dhe u plagosën tre të tjerë, ndërkohë që menjëherë nisën kërkimet menjëherë të autorit. Mohamed Amra 30 vjeç u ndihmua nda disa persona të maskuar të cilët sulmuan automjetin e burgut në autostradën A154 pranë Incarville në veri të Francës.
Dokumenti i tij penal, përfshin të paktën 13 dënime për kundërvajtje (drejtim pa leje, vjedhje, rezistencë ndaj autoritetit dhe sjellje fyese), por edhe për trafik droge. Ai nuk ishte i regjistruar si i burgosur i radikalizuar.
Një burim policor e përshkroi atë për Le Parisien si kreun e një rrjeti të trafikut të drogës, ndërsa BBC shton se ai kishte lidhje me grupet mafioze në Marsejë.
Niveli i tij i mbikëqyrjes së fundmi ishte rivlerësuar në ‘nivelin 3’ (nga 4), gjë që kërkon praninë e pesë rojeve të burgut dhe një oficeri gjatë lëvizjeve të tij. Pak para arratisjes, Amra ishte paraqitur para një hetuesi në Rouen, i cili po heton një rast të rrëmbimit dhe tentativës për vrasje. Arratisja ndodhi kur Amra po kthehej në burgjet e Evresë.
Autoritetet franceze, kanë aktivizuar të gjitha strukturat policore për kapjen e personit përgjegjës të tragjedisë, me nofkën “miza”. Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, tha para Parlamentit se organizatorët dhe autori i ngjarjes do ta paguajnë shtrenjtë: “Do të bëhet gjithçka për të gjetur autorët e këtij krimi të neveritshëm. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje, asnjë mjet, do t’i gjurmojmë, do t’i gjejmë dhe, po ju them, do ta paguajnë. Ne ua kemi borxh viktimave. Ne ua kemi borxh familjeve dhe të dashurve të tyre”.
Amra ishte në gjyq të premten e kaluar për grabitje të rëndë (vjedhje nga supermarkete dhe biznese në periferi të Evre midis gushtit dhe tetorit 2019). Ai u ndoq penalisht për shtatë vepra, u shpall i pafajshëm për katër prej tyre dhe përfundimisht u dënua me 18 muaj burg, megjithëse prokuroria kishte kërkuar 24 muaj.
Rasti i vrasjes, për të cilin po hetohej së fundmi, është ai i një burri në Auban, në jug të Francës, më 17 qershor 2022. Ngjarja lidhet nga autoritetet me trafikun e drogës.
Si ndodhi arratisja
Arratisja e përgjakshme me viktimat e dy punonjësve sofronistë, 52 dhe 35 vjeç, ndodhi në qytetin Evreux në Normandi , kur fugoni me të cilin po transportonin të burgosurin u sulmua nga një person i armatosur mëngjesin e së martës.
Nga sulmi u plagosën edhe tre persona, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën, ndërsa i treti doli nga spitali. Sipas një burimi policor të kontaktuar nga AFP, sulmi u krye nga “një grup prej disa kriminelësh”, të cilët përdorën dy automjete. Një nga ato automjete u gjet i djegur menjëherë pas sulmit, në një vend të pazbuluar. Të njëjtat burime theksuan se edhe kriminelët janë arratisur, ndërsa njëri prej tyre ka mbetur i plagosur.
Ndërkohë, policia lokale e Herves ka nisur një plan të posaçëm për të gjurmuar të burgosurin 30-vjeçar të arratisur dhe banditë të armatosur. Në këtë kuadër janë mobilizuar 200 punonjës policie, të cilët po “krehin” zonën e gjerë.