Adnant Jaupi është 53-vjeçari nga Elbasani, trupi i të cilit u gjet i dekompozuar në fshatin Xarrë, bashkia Konispol. 53-vjeçari nga Elbasani punonte si çoban në Xarrë. Identifikimi u krye nga mjekësia ligjore, por edhe pas hetimit nga policia e Sarandës.
53-vjeçari Adnant Kaupi kishte rreth 2-3 muaj që ishte zhdukur. Për këtë ishin interesuar edhe familjarë të tij. Nga hetimi, sipas policisë nuk konstatohen shenja goditjeje me mjete te forta apo plumbi, ku për pasojë t’i kishte ardhur vdekja. Koka u gjet disa metra larg trupit. Policia deklaron se trupi është copëtuar nga kafshët e egra.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për gjetjen e mbetjeve kockore humane, në proces dekompozimi, pranë varrezave të fshatit Xarrë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në zonë dhe veprimet hetimore për këtë rast. Si rezultat, është bërë e mundur gjetja e trupit të cilit i përkisnin mbetjet kockore dhe identifikimi i kufomës, shtetasit Adnant Jaupi, banues në Elbasan.
Nga hetimet e deritanishme të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dyshohet se ky shtetas (i punësuar çoban në fshatin Xarrë) ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme” njofton policia.