U kap me 140 mijë paund në banesë, dënohet me burg 20-vjeçari shqiptar Daniel Kabali në Britani: U detyrova nga një bandë trafikantësh

Një 20-vjeçar shqiptar është dënuar me 15 muaj burg nga autoritet britanike pasi iu gjetën 140 mijë paund, në një shtëpi e cila dyshohet se më herët është përdorur si shtëpi bari.

I riu shqiptar i identifikuar si Daniel Kabali ishte emigrant i paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, u kap në flagrancë në një shtëpi në Linton Crescent, Alwoodley.

Ishte vetë i riu që me sjelljen e tij paranojake bindi policinë të kryente kontrolle në shtëpinë ku jetonte, pasi nuk kishte zbatuar urdhrin e efektivë për të hapur derën, gjë që bëri që oficerët të dyshonin se ai po përpiqej të fshihte diçka.

Sipas mediave, shuma e parave u gjet në një dollap në hapësirën e papafingos. Ata gjetën gjithashtu shuma të tjera parash të vendosura nëpër shtëpi, si dhe mjete që përdoren për rritjen e kanabisit.

Gjatë dëshmisë së tij para autoriteteve britanike 20-vjeçari pranoi se ndodhej në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme dhe i detyrohej një bandë trafikantësh 24,000 paund dhe deri tani kishte arritur të paguante vetëm 4,000 £.