Robert Domi, Andrea Dema dhe Genis Mustafa të arrestuar më 31 gusht pasi akuzohen se furnizonin me kokainë disa rrjete shpërndarësish të cilët më pas e shpërndanin në lagjet kryesore të kryeqytetit kanë dalë sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Pas përfundimit të seancës, gjykata vendosi 45 ditë arrest në burg për Genis Mustafën, ndërsa dha nga 30 ditë arrest në burg për Robert Domin dhe Andrea Demën.

Tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues për akuzën. Genis Mustafa, banakier në një bar në kryeqytet ka pohuar se një mik i tij e kishte prezantuar me një person tjetër disa muaj më parë. Disa ditë më parë ky person, sipas Mustafës i ka dhënë një pako për t’ia ruajtur.

Pakon e kishte lënë në makinën e tij të parkuar pranë rrugës “Myslym Shyri”. Ditën e arrestimit ky person, që sipas avokatëve, ka qenë i infiltruar i policisë, i ka kërkuar takim. Kanë pirë një kafe dhe janë drejtuar për tek makina, ku edhe ka ndërhyrë policia.

Në mjet është gjetur kokaina dhe është prangosur Mustafa, ndërsa i dyshuari si i infiltruar është larguar. Pak metra më tutje janë ndaluar dy personat e tjerë. Avokatët kanë pretenduar se në dosje nuk ka autorizim nga prokuroria për kryerje të veprimeve të simuluara.