Prej vitesh Shegushen e mundon brenga se nuk i përket familjes ku ajo është rritur, mendon se nuk është vajza e Xhemiles dhe Vathit. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan ajo tregon se në Peqin, në të njëjtën ditë me të ka lindur edhe një vajzë tjetër, nëna e së cilës quhej Naile.

Në moshën 10-vjeçare, Shegushja nisi të dëgjonte prej njerëzve opinionin se ajo nuk ngjante me familjarët e saj, jo vetëm nga tiparet, por edhe nga ngjyra e lëkurës pasi këta të fundit ishin me ngjyrë. Dyshimet rriteshin së bashku me moshën, derisa një ditë, ajo mori guximin të ndalonte Nailen në rrugë për ta pyetur, edhe pse nuk kishin asnjë kontakt të mëparshëm.

Pas një jave plot ankth, Shegushja vjen sërish enkas nga Italia për të marrë rezultatin e shumëpritur të ADN-së. A është ajo motra e Hermondit? A i përket familjes ku është rritur apo vërtetë është ndërruar në maternitet 54 vite më parë? Njerëzit janë ndarë pro e kundër pretendimeve të saj por përgjigja e vetme mbetet ADN-ja. Përfundimisht Shegushja nuk është motra e Hermondit, i cili nuk preferoi të vinte në studio për t’a marrë këtë rezultat, siç kishte premtuar një javë më parë.

Ajo nuk i përket asaj familje dhe tashmë, ndërrimi në maternitet është një fakt i pakundërshtueshëm. Emocionet për Shegushen po rriten sepse kampioni i ADN-së së saj është analizuar edhe me atë të Nailes, zonjës për të cilën ajo dyshon se është nëna biologjike. Cili do jetë rezultati? Pas 54 vitesh zbulohet e vërteta tronditëse.

Analiza e ADN-së tregon se Shegushja është vajza biologjike e Nailes. Dyshimet e njerëzve për ndërrimin në maternitet dhe ndjesia e Shegushes u vërtetuan. Tashmë ajo do të ketë dhe një familje të re. Nailes i shtohet dhe një vajzë tjetër, krahas asaj që ka rritur me shumë dashuri.

Një muaj më parë, Margarita ishte përgatitur për të ftuar në program babain e saj Kadriun por nuk arriti dot. Cili është mesazhi që do t’i japë atij? Një fjalë e mirë e fëmijëve për prindërit, u shton atyre vite jetë. Kadriu tashmë ndihet i lehtësuar sepse vërtetë Margarita u rrit me sakrifica dhe nuk vazhdoi shkollën por e bën përditë krenar me arritjet e saj.