Ditën e sotme ndërroi jetë Simon Toska, 51-vjeçari i cili ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit. Sipas Drejtorisë së Policisë, Toska shfaqi probleme me shëndetin, ndaj u transportua për në spital, mirëpo për fat të keq ndërroi jetë rrugës.

Të shokuar për vdekjen e papritur të 51-vjeçarit, të afërmit në fshatin Panahor të Mallakastrës, pohojnë se babai i tre fëmijëve nuk vuante nga probleme shëndetësore. Ata pohojnë se lajmin e kanë marrë nëpërmjet një telefonate në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku janë njoftuar nga drejtoria e burgut.

Kemi pasur hyrje dalje të vazhdueshme, Simoni ka qenë shumë djalë i mirë, jo se sot ndërroi jetë, por me plot gojë. Simoni kishte dy prindërit, motrën dhe dy vëllezërit, lajmi na erdhi shumë i hidhur. Është fatkeqësi, lajm i hidhur dhe për ne si bashkëfshatarë, nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje”, tregon një fqinj i familjes Toska.

“Kontaktin e fundit e kemi pasur para 3 ditësh, i kam çuar ushqime gjëra, ai ishte i dënuar me 7 vite burg, nuk e di të saktë. Në orën 4 e gjysmë të mëngjesit na lajmëruan dhe na thanë që është dërguar pa shenja jete në spital. Djalë më të mirë në fisin tonë atë kishim, nuk ishte njeri problematik. Për momentin familja nuk ka dyshime në lidhje me ngjarjen”, shprehet një prej familjarëve të Toskës.

“Ishte i martuar me 3 fëmijë, dy djem dhe një gocë. Na mori në telefon infermierja e spitalit të burgut, dhe iu kanë thënë ‘na la Simoni’. Asnjë prej familjarëve nuk di gjë më tej”, tregon një tjetër banor i fshatit.