Ka vdekur në moshën 78-vjeçare senatori zviceran, Dick Marty. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta zvicerano-italiane “Corriere del Ticino”.

Mësohet se trupi i pajetë i Martyt është gjetur në shtëpinë e tij. Vdekjen e ka konfirmuar edhe Partia Radikale e qendrës së djathtë.

Marty u bë i njohur ndërkombëtarisht si anëtar i Këshillit të Evropës dhe i Komisionit të OSBE-së për të Drejtat e Njeriut.

Raporti i tij për Kosovën në vitin 2011, si hetues special për Këshillin e Evropës, kishte pretenduar për trafikim të organeve, duke akuzuar edhe UÇK-në.

Si pasojë e raportit të tij u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë. Në Hagë po akuzohen ish-eprorët e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Para disa kohëve, Marty pati thënë se shërbimet sekrete serbe kërkonin ta ekzekutonin, e më pas t’ua linin fajin shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në gusht në Këshillin e Evropës kishte kërkuar anulimin e raportit të Dick Martyt për trafikim të organeve në Shqipëri e Kosovë.

Në Kosovë ai u njoh për raportin e tij, i cili me miratim të Këshillit të Evropës, pretendonte se krerët e UÇK-së kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, specifikisht trafikim të dyshuar të organeve.

Ai u zgjodh në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në vitin 1999 dhe kryesoi Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut nga viti 2005 deri në 2008. Ai doli në pension në vitin 2011.

Në emër të komitetit, ai hetoi burgjet sekrete të CIA-s në Evropë, duke publikuar një raport në vitin 2006 që thoshte se 14 vende kishin bashkëpunuar me SHBA-në në një “rrjetën e merimangës” të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Marty tha se vende të tjera, përfshirë Zvicrën, ishin përfshirë në mënyrë aktive ose pasive në ndalimin ose transferimin e personave të panjohur.