Mediat italiane kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të këngëtares shqiptare në Romë, Elsa Lila. Ajo u arrestua si pjesë e një bande me 13 persona, shqiptarë dhe italianë që shinin kokainë dhe kanabis në Romë. Arrestimet u bënë mes Acilia-s dhe Romës. Po sipas mediave italiane, Elsa Lila kishte rolin e financieres së grupit.

Gjatë hetimeve u sekuestruan gjithsej 5 kg kokainë, 43 kg marijuanë dhe 82 kg hashash. Mes të arrestuarve është edhe një boksier i njohur shqiptar. Bëhet fjalë për Petrit Bardhin, i cili thuhet se ishte mik i ngushtë i Arben Zogut, i njohur si ultras i ekipit të Lacios. Zogu i cili njihet me emrin “Riccardino” u dënua me 20 vite burg për trafik droge më 10 maj të 2016-ës.

Arben Zogu bashkë me dy shqiptarë të tjerë Orial Kolaj, 30 vjeç dhe Petrit Bardhi, u arrestuan gjatë një operacioni të policisë italiane në vitin 2015. Ata ishin pjesë e grupit mafioz “Guarnera”, e përbërë nga një grup i madh qytetarësh shqiptarë, që cilësohen si “boksierët”. Emrat e tyre nuk dihen. Shqiptarët u akuzuan si të lidhur me nëndegën e Camorrës, i njohur si klani i kazalezëve. Shitja e kokainës dhe mbledhja e gjobave ishin aktiviteti kryesor i shqiptarëve.