Zbardhet dëshmia e Ilir Selmanit, i cili është dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ky i fundit ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Leonard Dukës, Erlis Duka e të tjerëve, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.

Para togave të zeza, Selmani këmbënguli në pafajësinë e tij, duke pretenduar se ishte dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë. Sipas tij, janë paguar 500 mijë euro për të dëmtuar vëllezërit Duka.

Selmani tha se ditën kur ndodhi vrasja e Malkos kishte drekuar me në Fresk me Leonard Dukën, Erlis Dukën, Olian Lokën, Dritan Again e disa të tjerë. “Shkoj shpesh në atë lokal, se e kam 20 metër larg shtëpisë. Leonard e Erlis Duka merren me kompani bastesh sportive. Dreka me ta ishte rastësi. Ishim 8-9 veta dhe qëndruam 2-2.5 ore. Blendi Teta e Fatmir Hyseni kanë qenë me ne. Tetën e solli Ervis Metani, i cili qëndroi veç 10 minuta dhe iku”, pohoi në gjyq Selmani. Mes të tjerash ai tha se pasi kishte përfunduar darka, ai kishte shoqëruar me një automjet “Skoda” që përdorej për aktivitetin e vëllezërve Duka, Blendi Tetën drejt një vendqëndrimi taksish.

“Blendi do shkonte tek bashkëjetuesja. Tek Rruga-Ura nuk gjetëm taksi, ndaj e çova deri tek QSUT. Aty Blendi me tha ta prisja 10 minuta. Mua me lëvizi një roje i një godine para së cilës kisha ndaluar. Qëndrova veç një minute dhe u largova. Nuk e prita të hipte në taksi. U ktheva tek lokali, por policia kishte rrethuar Leonard e Erlis Dukën. Makinën e çova në një lavazh. Telefonin e kisha harruar në lokal dhe ma solli Aleksandër Manxhaku. Fola me bashkëshorten në telefon. Më tha; ‘ka ardhur policia’. Gruaja më kaloi në telefon Klodin e vrasjeve. Ai më tha që duhet të shkoja në komisariat, por unë nuk shkova. Policinë e kam fobi. Ka patur raste kur na kanë shoqëruar, dhunuar e më pas lënë të lirë në mëngjes. Atë natë fjeta tek një mik në lagje”, pohoi ai.