Për shkak të një problemi të pajisjes “Scantron”, 52 kandidatë iu shtuan listës së fituesëve të fazës së parë të Shkollës së Magjistraturës. Një pjesë e tyre, janë të lidhur me personazhë të njohur, sidomos në fushën e drejtësisë. “CNA” ka zbardhur disa prej emrave me lidhje të forta, që ndoshta mund t’u kenë siguruar një vend në shkollën (më të lakmuar) e sistemit të drejtësisë. Nga aty, secilit i hapet rruga për t’u bërë prokuror ose gjyqtar. Por kush kanë këta emra të shtuar dhe me kë lidhen?

Për transparencë më poshtë janë lidhjet e disa kandidaturave me personazhe të njohur:

1- Grisela Broci, bashkëshorte e djalit të Artan Brocit, (ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë, i shkarkuar në 2018)

2- Elira Minxhozi, bashkëshorte e prokurorit Adnan Hoxha;

3- Anxhela Lalaj, avokate e zyrës së Lirime Çukaj, Shefe e Departamentit të së Drejtës Penale, Fakulteti Juridik, Universiteti i Tiranës;

4- Alfred Bari, avokat i zyrës së Saimir Visha, (kryetar i Shoqatës së avokatëve penalistë);

5- Kristiano Koçibelli, djali i një biznesmeni të njohur në Korçë;

6- Iva Balza, juriste në zyrën “CC Laë” të Ilirian Celibashit dhe Adrian Visha;

7- Sokrat Gjermeni, djali i Artan Gjermenit, ish-gjyqtar;

7- Hanc Llagami, nipi i Naureda Llagamit, kryetare e KLGJ-së.

Disa prej tyre kanë ende familjarë në sistem, ndërsa të tjerë i kanë të shkarkuar nga procesi i Vettingut. Megjithatë nuk ka ende asnjë ligj që i ndalojnë që të kandidojnë edhe ata në këtë garë, numri i fituesëve është i kufizuar për çdo vit. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka pasur hije dyshimi për ndikimin që emrat e familjarëve të tyre, në disa raste shumë të afërt, nuk ndikojnë tek kolegët e tyre në mënyrë që të ndjekin hapat e tyre.

Edhe pse është diskutuar shumë, madje është aluduar se në këtë shkollë kanë hyrë edhe familjarë që kanë lidhje me personazhë të botës së krimit, kurrë nuk ka dalë një fakt që të vërtetojë gojëdhënat. Përveç…”scantron”. Çështja që bëri bujë pak ditë më parë ka ngjallur hije dyshimi në të gjithë procesin, madje në Komisionin e Ligjeve po kërkohet edhe një dëgjesë me drejtorin e kësaj shkollë, Arben Rakipin. Ky i fundit i ka dhënë njëherë shpjegimet e tij, duke pretenduar se e gjitha është një gabim teknik dhe me 0 ndikim njerëzor.